Shkup, 28 nëntor Zhurnal.mk – Ekipet e shërbimeve të qytetit tashmë janë në terren dhe janë të gatshme të reagojnë ndaj reshjeve të paralajmëruara të borës, deklaroi mbrëmjen e sotme kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në emisionin “Tema e ditës” në televizionin Sitel.
Ai bëri të ditur se në disa pjesë të Vodnos tashmë ka filluar të bie shi i përzier me borë, duke theksuar se për shkak të terrenit specifik në zonat më të larta duhet të hidhet sasi e mjaftueshme kripe, me qëllim që të parandalohet krijimi i vështirësive në qarkullimin rrugor.
“Ekipet tashmë kanë dalë në terren. Nga një pjesë e Vodnos tashmë kam marrë pamje ku shihet se ka filluar të bie shi i përzier me borë, por duhet të jemi të përgatitur në atë zonë, duke pasur parasysh terrenin. Duhet të hidhet sasi e mjaftueshme kripe në atë pjesë, e njëjta gjë do të bëhet edhe në të gjitha zonat e tjera më të larta”, tha Gjorgjievski.
Kryetari i Shkupit informoi se para dy ditësh kishte vizituar shërbimin kujdestar, ku kishte biseduar me punonjësit të cilët gjatë kësaj periudhe përballojnë pjesën më të madhe të ngarkesës në menaxhimin e kushteve atmosferike.
Ai paralajmëroi se edhe pas përfundimit të intervistës televizive do të dalë në terren së bashku me punonjësit e shërbimeve të qytetit.
“Para dy ditësh isha edhe në shërbimin kujdestar, për t’i parë nga afër njerëzit mbi supet e të cilëve bie pjesa më e madhe e barrës gjatë kësaj periudhe. Jemi të përgatitur, bora nuk do të na zërë në befasi. Edhe pas këtij emisioni do të dal në terren së bashku me punonjësit, kështu që do të jemi të përgatitur shumë më seriozisht se kurrë më parë”, deklaroi Gjorgjievski.
