Shkup, 29 tetor – Në email adresat e gjithsej 47 shkollave në Shkup dhe në Kumanovë kanë arritur kërcënime për bomba të vendosura të cilat do të aktivizoheshin mëngjesin e sotëm. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se janë kryer kontrolle dhe konfirmuan se paralajmërimet janë të rreme.
“Në SPB Shkup dhe SPB Kumanovë dje rreth orës 18 është denoncuar se në email adresat e 30 shkollave në Shkup dhe 17 në Kumanovë, kanë arritur mesazhe për pajisje eksplozive të vendosura në shkolla. Menjëherë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete të nevojshme, janë kryer kontrolle dhe është konfirmuar se bëhet fjalë për denoncime të rreme”, njoftojnë nga MPB-ja.
Një prej shkollave e cila u kontrollua mëngjesin e sotëm, ishte shkolla fillore “Hasan Prishtina” në Çair. Kërcënimi kishte arritur dje në email adresën e vjetër të shkollës, adresë e cila nuk kontrollohet rregullisht. Drejtoresha e kësaj shkolle, Esma Fazlija, njoftoi se policia ka arritur para se fëmijët të fillojnë mësimin dhe nuk ka pasur nevojë për evakuim.
“Është traumë shumë e madhe mirëpo sot ishte pak më ndryshe se herave tjera për shkak se para kohe u morën masat. Në raste të tjera kemi ndërprerë dhe mësimin dhe nxënësit janë lëshuar në shtëpi. Por sot para se të fillojë mësimi gjithçka ishte në rregull u kontrollua shkolla, policia ishte këtu… Patjetër, kjo duhet urgjentisht të ndërpritet sepse bëhet fjalë për një masë të madhe të nxënësve, jo vetëm shkolla jonë por edhe shkollat tjera. Është mjaft shqetësuese kështu që do të ishte mirë të ndërpriten këto”, deklaroi Esma Fazlija – Drejtoreshë e SH.F “Hasan Prishtina”.
Paralajmërimet për bomba të vendosura nëpër shkolla nuk është diçka e re në Maqedoni. Kjo është duke u praktikuar disa vite me radhë që pas periudhës së kovidit.
