Tiranë, 8 shtator Zhurnal.mk – Kuvendi i Shqipërisë ka nisur këtë të martë sesionin e ri të punimeve. Në fjalën hapëse kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi vendosi objektivat, të cilat janë sërish Integrimi i vendit në BE. Peleshi bëri një përmbledhje të punës së Kuvendit sezonin e kaluar dhe përcaktoi 3 objektiva të reja.
Të tria, kanë në qendër procesin e integrimit europian që do të jenë prioritet për punën e Kuvendit.
Për reformën zgjedhore dhe territoriale, Peleshi tha se duhet të afrojnë institucionet me njerëzit. Gjithashtu, cilësoi si domosdoshmëri rishikimin e statusit të deputetit.
“Së pari, përafrimi i legjislacionit. Kuvendi do të shyqrtojë me përparësi projektet që lidhen me standardet e BE. Do të nisim bashkëpunimin. Do të forcojmë kontrollin post-legjislativ.
Së dyti, intensitfikim i diplomacisë parlamentare. Kontakte dinamike me parlamentet e 27 vendeve anëtare do të vazhdojnë. Më 27 shtator Kuvendi do të organizojë konferencën ndërparlamentare. Ajo është një mundësi për të vendosur Shqipërinë në qendër të dialogut.
Së treti, përgatitja për anëtarësimin e plotë. Gjatë këtij sesioni do të fillojmë punën për t’u përgatitur sesi Shqipëria do të funksionojë si vend anëtar me të drejta të plota. Nuk do të presim ditën e anëtarësimit, por do të fillojmë që sot.
Çështje e rëndësishme mbetet reforma zgjedhore dhe administrativo-territoriale. Reformat duhet të afrojnë më shumë institucionet me qytetarët. Ne jemi këtu për të kërkuar llogaridhënien pa ndërhyrë dhe zëvendësuar kompetencat e institucioneve. Rishikimi i statusit të deputetit është nevojë e domosdoshme që ky mandat të shërbejë për qytetarin. Kuvendi do të vlerësojë nevojën për përmirësimin e legjislacionit mjedisor, pasi mjedisi është pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Peleshi duke shtuar se do të vihen në dispozicion edhe një sërë mekanizmash për modernizimin e Kuvendit.
