“Shahterm” pritet të nisë prodhimin deri në fund të vitit investimi planifikuar në 50 milionë euro

Nga I.A
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kompania “Shahterm” pritet të fillojë prodhimin deri në fund të këtij viti në Zonat Teknologjiko‑Industriale të Zhvillimit, pasi punimet ndërtimore kanë nisur në maj të vitit të kaluar.

Drejtori i TIRZ‑it, Goce Dimovski, vizitoi kompaninë dhe realizoi inspektim në terren për të parë ecurinë e punimeve. Gjatë takimit me menaxhmentin u shqyrtuan dinamika e realizimit të projektit, aktivitetet në lokacion dhe hapat e ardhshëm deri në vënien në funksion të kapaciteteve prodhuese.

Investimi i “Shahterm” në fazën e parë parashikohet të arrijë 25 milionë euro, duke mundësuar hapjen e 200 vendeve të reja të punës. Plani afatgjatë është që vlera totale e investimit të arrijë 50 milionë euro, ndërsa numri i të punësuarve të tejkalojë 500.

Dimovski theksoi se TIRZ do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për kompanitë që investojnë në zonat zhvillimore, si dhe komunikim të rregullt në të gjitha fazat e realizimit të projekteve.

Sipas tij, realizimi i suksesshëm i investimeve varet nga koordinimi i mirë, komunikimi i hapur dhe partneriteti i qëndrueshëm mes kompanive dhe institucioneve.

Drejtori i përgjithshëm i “Shahterm”, Faruk Shahin, shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm me TIRZ, duke theksuar rëndësinë e koordinimit efikas me institucionet gjatë fazës së realizimit të investimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër