Prishtinë, 17 prill, Zhurnal.mk – Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala në seancën plenare të Kuvendit tha se draftligjet e propozuara nga Qeveria e Kosovës prekin bazamentin juridik dhe ekonomik të sektorit të energjisë.
Shala deklaroi se Kosova duhet të ketë temë debati mënyrën e organizmit dhe daljes nga kriza globale duke maksimalizuar resurset energjetike pasi siç tha ai sektori i energjisë është sektor me interes nacional për vendin.
“Qeveria po na sjell dy draftligje që prekin bazamentin strukturor juridik ekonomik dhe organizativ të sektorit të energjisë. Jeni dëshmitarë që i gjithë globi temë aktuale e ka energjinë, deri në shkallën e luftërave frontale për burime energjetike dhe asetet e tyre. Ndërsa, ne sot në vend që ta kemi në temë debati mënyrën e organizmit, menaxhimit, daljes nga kjo krizë globale, maksimalizimin e resurseve, harmonizimin me politikat reale zhvillimore të vendit, ne na sjellet një paketë e ligjeve, ku komplet baza juridike ekonomike centralizohet, jashtë çdo parimi etik në raport me kohën, me tregun e punës, me zhvillimet globale, por mbi të gjitha me interesin tonë nacional, sepse energjia është interes nacional i vendit tonë”, tha Shala.
