Manila, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, prezantoi në emër të Qeverisë zotimet për forcimin e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të fëmijëve nga dhuna, në ditën e dytë të Konferencës së Dytë Globale Ministrore për Eliminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve në Manila të Filipineve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, në mesin e përparësive të paraqitura janë ndalimi ligjor i martesave para moshës 18-vjeçare, forcimi i mbrojtjes nga dhuna fizike dhe digjitale, si dhe krijimi i shërbimeve të specializuara për fëmijët viktima të dhunës.
Ministria njoftoi se vëmendje iu kushtua edhe parandalimit të dhunës në shkolla dhe funksionalizimit të ekipeve ndërsektoriale në të gjitha qendrat për punë sociale, për të identifikuar rreziqet në kohë dhe për të bashkërenduar reagimin e institucioneve.
Ndër zotimet e prezantuara janë edhe krijimi i një sistemi të unifikuar për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe zhvillimi i mekanizmave më efikasë për mbrojtjen e fëmijëve që janë në kontakt me sistemin e drejtësisë.
Shasivari theksoi se zotimet ndërkombëtare duhet të shoqërohen me zgjidhje konkrete ligjore dhe mekanizma funksionalë institucionalë. Ai tha se përgjegjësia vazhdon edhe pas konferencave, përmes përgatitjes së ligjeve, forcimit të institucioneve dhe krijimit të kushteve për mbrojtje të qasshme për çdo fëmijë, njoftoi ministria.

