SHBA-ja heq bllokadën detare ndaj Iranit

Nga D. V.
516 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 19 qershor, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr bllokadën detare ndaj Iranit, pasi të dy vendet nënshkruan një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme, raportoi BBC.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi në platformën X se bllokada është ndërprerë “në përputhje me urdhrin e presidentit”, duke shtuar se një pjesë e anijeve amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në rajon.

Pak më vonë, reagoi edhe Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili tha se kishte miratuar marrëveshjen me SHBA-në pavarësisht se kishte “një këndvështrim tjetër” për të.

Ai sqaroi se kishte vendosur ta mbështeste, pas garancive të marra nga presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, se ajo synonte të mbronte të drejtat e popullit iranian.

Khamenei akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se kishte përdorur “çdo lloj presioni dhe fuqie nga dëshpërimi” për të arritur marrëveshjen.

Ai theksoi se negociatat e drejtpërdrejta mes Teheranit dhe Uashingtonit do të vazhdojnë në të ardhmen, por shtoi se kjo “nuk do të thotë pranim i qëndrimeve të armikut”.

Kjo është hera e parë që Khamenei reagon publikisht për marrëveshjen.

Ai nuk është shfaqur në publik që nga marrja e detyrës në muajin mars, pas vrasjes së babait dhe paraardhësit të tij, Ali Khamenei, gjatë sulmeve amerikano-izraelite të 28 shkurtit, që ndezën konfliktin rajonal.

Nga ana tjetër, Trump nuk iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratave të Khameneit.

Në rrjetin “Truth Social”, ai u shpreh se pret që armëpushimi të zbatohet “në të gjitha frontet”, përfshirë edhe përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.

Ai u bëri thirrje vendeve të Lindjes së Mesme të respektojnë angazhimet e tyre për të lejuar vazhdimin e negociatave.

Çfarë parashikon marrëveshja?

Marrëveshja SHBA-Iran përbëhet nga 14 pika kryesore:

  • Rihapja e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar ndërkombëtar;
  • Angazhimi i Iranit për mos të zotëruar kurrë armë bërthamore;
  • Krijimi i një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit, pa detyrim financiar për SHBA-në;
  • Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare brenda një periudhe maksimale prej 60 ditësh, e cila mund të zgjatet me miratimin e të dy palëve.

Ceremonia zyrtare e nënshkrimit ishte planifikuar të zhvillohej të premten në Zvicër, por ndërmjetësi, Pakistani, njoftoi se ajo u anulua pasi dokumenti ishte nënshkruar tashmë në mënyrë elektronike.

Megjithatë, përfaqësues amerikanë dhe iranianë pritet të takohen në Zvicër për raunde të tjera bisedimesh.

Vance: Irani duhet të përmbushë detyrimet

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se marrëveshja ka hyrë tashmë në fuqi dhe ka nisur periudha 60-ditore e negociatave teknike.

Ai theksoi se Irani nuk do të përfitojë fonde apo lehtësim sanksionesh, pa përmbushur detyrimet e përcaktuara në memorandum.

Sipas Vance, Teherani duhet të shkatërrojë rezervat e uraniumit të pasuruar dhe të provojë se nuk financon më grupet aleate të armatosura në rajon.

Kritika të forta në SHBA dhe Izrael

Vendimi i Trump për t’i dhënë fund luftës me Iranin, ka shkaktuar reagime të ashpra në SHBA, veçanërisht nga republikanët që kundërshtojnë kushtet e marrëveshjes.

Senatori republikan Bill Cassidy e cilësoi paktin si “gabimin më të madh të politikës së jashtme në dekada”.

“Irani nuk është ndalur në ambiciet e tij bërthamore dhe tani ka mësuar se kërcënimi për mbylljen e Hormuzit funksionon”, deklaroi ai.

Vance iu kundërpërgjigj gjithashtu kritikëve në qeverinë izraelite, duke përmendur ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich.

“Duhet të zgjohen dhe të përballen me realitetin”, tha ai, duke shtuar se Izraeli nuk mund të zgjidhë çdo problem sigurie kombëtare, vetëm përmes përdorimit të forcës ushtarake.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, nga ana e tij, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në, duke deklaruar se Uashingtoni kishte qëndruar “krah për krah” me Izraelin gjatë luftës me Iranin.

Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes SHBA-Iran, tensionet në rajon mbeten të larta.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë vazhduar shkëmbimin e sulmeve, ndërsa sulmet izraelite në Liban ditën e djeshme, raportohet se shkaktuan tre viktima.

Vance paralajmëroi se Izraeli duhet të respektojë procesin e paqes me Iranin dhe e cilësoi të papranueshme, çdo goditje ndaj civilëve, përfshirë sulmet në kryeqytetin libanez, Bejrut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër