Uashington, 23 prill, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan se nuk ekziston një afat kohor për përfundimin e konfliktit me Iranin, në një moment kur tensionet mes dy vendeve mbeten të larta dhe përpjekjet për bisedime paqeje vazhdojnë në Pakistan, pa konfirmim ende për pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare nga asnjëra palë, raportoi BBC.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian tha se Teherani mbetet i hapur për dialog, por ka theksuar se shkeljet e angazhimeve nga SHBA-ja, bllokada dhe kërcënimet janë pengesat kryesore për negociata të vërteta.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili pritet të udhëheqë delegacionin amerikan, nuk është larguar ende nga SHBA-ja.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka zgjatur armëpushimin që ishte parashikuar të përfundonte të mërkurën, duke deklaruar se nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e luftës me Iranin.
Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, zgjatja e armëpushimit është e papërcaktuar dhe nuk është vendosur një afat kohor i ri.
Tensionet janë përshkallëzuar gjithashtu në Ngushticën e Hormuzit, ku negociatori kryesor iranian ka deklaruar se rihapja e saj “nuk është e mundur” për shkak të “shkeljeve flagrante të armëpushimit” nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Nga ana e saj, Komanda Qendrore e SHBA-së ka bërë të ditur se ka urdhëruar 31 anije të kthehen ose të ndryshojnë destinacion – që prej fillimit të bllokadës ndaj porteve iraniane.
Sipas saj, shumica e këtyre anijeve ishin tankerë nafte dhe kanë zbatuar udhëzimet amerikane.
Presidenti Pezeshkian e ka cilësuar bllokadën si një nga pengesat kryesore për arritjen e negociatave “të sinqerta”, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Donald Trump është “i kënaqur” me efektivitetin e saj.
Në tregjet ndërkombëtare të energjisë, çmimet e naftës janë rritur pas raportimeve për sulme ndaj tre anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Nafta amerikane “Brent”, është rritur në rreth 103 dollarë për fuçi.
Rritja vjen pas vendimit të Trump për të zgjatur armëpushimin, me synimin për t’i dhënë më shumë kohë Iranit për një marrëveshje.
