Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shpalli dje në mbrëmje të ashtuquajturin “Cartel de los Soles”, një sindikatë të dyshuar kriminale – që dyshohet se përbëhet nga zyrtarë të lartë venezuelianë, një organizatë terroriste.
Departamenti tha se vendimi do të hynte në fuqi nga 24 nëntori.
“Me qendër në Venezuelë, “Cartel de los Soles” drejtohet nga presidenti venezuelian, Nicolas Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë të regjimit të paligjshëm të Maduro-s, të cilët kanë korruptuar ushtrinë, inteligjencën, legjislaturën dhe gjyqësorin e Venezuelës”, tha aekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në një deklaratë.
“As Maduro dhe as miqtë e tij nuk përfaqësojnë qeverinë legjitime të Venezuelës. “Cartel de los Soles” përfshirë “Tren de Aragua” dhe “Sinaloa Cartel”, të shpallura nga SHBA-ja organizata të huaja terroriste, janë përgjegjëse për dhunën terroriste në të gjithë hemisferën tonë, si dhe për trafikimin e drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë”, tha Rubio.
E konsideruar banda më e fuqishme e Venezuelës, “Tren de Aragua” është e lidhur me trafikimin e drogës, zhvatjen, minierat e paligjshme dhe kontrabandën e njerëzve, dhe ka zgjeruar operacionet e saj në vende të tjera të Amerikës Latine dhe në SHBA.
SHBA-ja e shpalli grupin një organizatë terroriste në fillim të këtij viti.
Sipas administratës amerikane, regjimi i Maduro-s e ka shndërruar Venezuelën në një narkoshtet, duke hyrë në partneritet me guerilasit kolumbianë për të eksportuar drogë në Evropë dhe SHBA përmes një organizate të njohur si “Cartel de los Soles” (Karteli i Diejve në spanjisht). Maduro i ka hedhur poshtë akuzat.
Prej disa javësh, forcat amerikane kanë sulmuar anije pranë brigjeve të Venezuelës të dyshuara për kontrabandë të lëndëve narkotike në SHBA.
Sulmet, gjithashtu janë kritikuar ndërkombëtarisht – me Kombet e Bashkuara të cilat i kanë bërë thirrje SHBA-së të ushtrojnë vetëpërmbajtje.
