Tiranë, 27 korrik Zhurnal.mk – Partia Socialiste ka kërkuar sot përjashtimin nga Kuvendi me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj. Mësohet se kërkesa e PS-së ka ardhur pasi Shehaj ka marrë nga salla Gerti Bogdani marrëveshjen konfidenciale të huasë me SHBA-në dhe më pas është larguar me vrap.
Përveç përjashtimit me 60 ditë, PS-ja ka paralajmëruar dhe kallëzim në SPAK për Shehajn me pretekstin se me veprimin që kreu ka cënuar sigurinë e vendit. Në kërkesë thuhet se Agron Shehaj ka refuzuar sqarimet e stafit të Kuvendit, ka marrë me forcë kopjen fizike të dokumentit dhe është larguar me të. Po sipas socialistëve, një këshilltare e Kuvendit, e cila tentoi ta ndalonte dhe të rimerrte dokumentin, është rrëzuar në shkallë dhe ka pësuar lëndime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjellje të dhunshme dhe të papranueshme. Këto sjellje cënojnë rëndë dhe në mënyrë të patolerueshme sigurinë e stafit të Kuvendit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Sjellja e deputetit duke marrë më forcë dhe duke nxjerr jashtë sallës dokumentin e klasifikuar përbën shkelje të rëndë të legjislacionit për informacionin e klasifikuar”, thuhet në kërkesë.
Gjithashtu, Partia Socialiste kërkon që rasti t’i referohet SPAK-ut për vlerësimin e mundshëm të disa veprave penale, mes të cilave përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, forma të përvetësimit të paligjshëm të dokumentit, pengimi i detyrës së funksionarit publik dhe vepra të tjera që lidhen me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe sigurinë kombëtare.
“Gjithashtu referuar parashikimeve të Kodit Penal, nenet 139-142, 294-296, 235, t’i referohet mënjëherë Prokurorisë, në rastin në fjalë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me dyshimet se shtetasi Agron Shehaj ka kryer veprat penale:
përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;
(ii) vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;
(iii) grabitja sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;
(iv) pengimi i detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;
(v) dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cënon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët”, thuhet në kërkesë.
