Shiroka Pula viziton Muzeun Etnografik të Budapestit, njihet me koleksionin shqiptar

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Budapest, 24 tetor Zhurnal.mk – Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Hungari, ka vizituar Muzeun Etnografik të Budapestit (Néprajzi Múzeum), një nga institucionet më të rëndësishme etnografike në Evropë.

Gjatë vizitës, Shiroka Pula është njohur nga afër me koleksionet e muzeut dhe punën që bëhet për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në këtë muze ruhet edhe koleksioni shqiptar i Paolo Lazzës (Palokë Laca), i cili paraqet një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë etnografike shqiptare, duke pasqyruar traditat, artizanatet dhe mjeshtëritë e shqiptarëve ndër breza.

Presidentja ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre artefakteve, duke vlerësuar kontributin e tyre në njohjen e historisë dhe identitetit kulturor.

“Artefaktet e këtij muzeu dëshmojnë historinë, identitetin dhe krijimtarinë e popujve ndër shekuj. Koleksione të tilla na ndihmojnë të njohim më mirë edhe vetveten, kulturën tonë dhe mjeshtëritë tradicionale që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë. Ruajtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi e përbashkët e njerëzimit”, ka deklaruar Shiroka Pula.

Muzeu Etnografik i Budapestit, i themeluar në vitin 1872, ruan mbi 235 mijë objekte etnografike nga Hungaria dhe vende të ndryshme të botës. Ndërtesa e re e muzeut është hapur në vitin 2022.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër