Një studim i publikuar në revistën shkencore “Journal of Agricultural and Food Chemistry” analizoi efektin antibakterial të verës së kuqe dhe të bardhë ndaj disa baktereve të gojës, përfshirë “Streptococcus mutans”, bakter i lidhur me kariesin, si dhe “Streptococcus pyogenes”, i cili mund të shkaktojë faringjitin.
Studiuesit zbuluan aktivitetin antibakterial të të dyja verërave, në kushte laboratorike.
Studiuesit identifikuan disa acide organike, përfshirë acidin malik, laktik, tartarik, citrik dhe acetik, si kontribuues të mundshëm në aktivitetin antibakterial të verës.
Studime të tjera kanë testuar edhe verën e kuqe, në modele laboratorike të biofilmit oral, pra shtresës komplekse të baktereve që formohet në gojë.
Një studim i vitit 2014, zbuloi se vera e kuqe dhe vera e kuqe pa alkool kishin efekt antimikrobik ndaj disa baktereve të biofilmit oral, ndërsa disa ekstrakte të farave të rrushit shfaqën aktivitet ndaj disa mikroorganizmave të caktuara.
Një tjetër studim, të publikuar në vitin 2019, u zbulua se vera e kuqe dhe vera e kuqe pa alkool reduktonin gjallërinë e disa baktereve në një model laboratorik të biofilmit periodontal.
Megjithatë, autorët e përshkruan efektin si të moderuar dhe theksuan nevojën për kërkime të mëtejshme.
Po kariesi?
Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Disa eksperimente kanë treguar se disa përbërës të verës, mund të pengojnë ngjitjen e “Streptococcus mutans” në sipërfaqet e dhëmbëve dhe formimin e biofilmit.
Por, kjo nuk do të thotë se pirja e verës parandalon kariesin.
Përkundrazi, vera është një pije acidike dhe konsumimi i alkoolit nuk duhet të konsiderohet një alternativë ndaj higjienës orale.
Larja e dhëmbëve me pastë me fluor dhe kontrollet te dentisti mbeten masat kryesore për parandalimin e kariesit.
Po infeksionet e fytit?
Një studim i vitit 2007 tregoi efektin e verës ndaj “S. pyogenes” në laborator, por kjo nuk do të thotë se pirja e verës mund të shërojë një infeksion të fytit.
Madje, alkooli mund të irritojë mukozën e gojës dhe fytit dhe nuk rekomandohet si trajtim për dhimbjen apo infeksionet e fytit.
Një paradoks i rëndësishëm
Edhe pse disa studime tregojnë aktivitet antibakterial të verës në laborator, kjo nuk e bën verën një pije “të shëndetshme për gojën”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe IARC theksojnë se alkooli është kancerogjen dhe se konsumimi i alkoolit lidhet me rritjen e rrezikut për kancer të gojës, faringut dhe laringut, ndër të tjera.
Nuk ka një nivel konsumi të alkoolit që konsiderohet pa rrezik për kancerin.
Prandaj, shkenca mund të tregojë njëkohësisht se disa përbërës të verës, kanë aktivitet antibakterial në laborator, ndërsa konsumimi i alkoolit mund të ketë pasoja negative për shëndetin.
