Shkolla pa libra, mësimi me fotokopje! Nxënësit përballen me mungesa

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 tetor Zhurnal.mk – Edhe pse viti i ri shkollor ka nisur prej më shumë se një muaji, për nxënësit e disa drejtimeve në arsimin e mesëm profesional, tekstet shkollore ende mungojnë. Në vend të librave, nxënësit thonë se mësimin po e ndjekin me shënime dhe fotokopje, ndërsa nga shkollat u është thënë se, për momentin, nuk ka libra.

“Çfarë libra keni marrë dhe cilët ju mungojnë? S’kemi marrë libra hiç. Cili vit je? Viti i parë. Si po gjindeni, me shënime apo fotokopje? Me shënime. Kanë thënë që kemi me i marrë, por njëherë s’ka libra.” – Nxënëse, teknik juridik.

“Për librat, na kanë thënë s’ka njëherë libra, nuk do t’i marrim sivjet. Çfarë drejtimi je? Administratë biznesi. Asnjë libër të këtij drejtimi profesional nuk e ke? Jo. Është e vështirë të merrni shënime? Po, pak”, u shpreh një nxënëse, administratë biznesi.

“Libra nuk ka dhe nuk na kanë tregu që do të na japin. Ka thënë shkolla nuk ka libra edhe nuk presim të marrim. Mendoni gjithë vitin ta kaloni me shënime? Po, kështu na kanë thënë profesorët, do të marrim më shumë shënime se s’kemi libra”, tha një nxënëse, teknik juridik.

Nga Qendra për Arsim Profesional sqarojnë se arsimi profesional modern nuk duhet të mbështetet vetëm te libri klasik i shtypur. Sipas drejtorit të Qendrës, Bekim Zendeli, kur nuk ekziston tekst i miratuar për një lëndë të caktuar, mësimdhënësi mund të përdorë materiale të përshtatshme dhe burime profesionale, në përputhje me programin mësimor.

“Për këtë arsye, arsimi profesional modern nuk duhet të mbështetet vetëm në tekstin klasik të shtypur. Ligji për tekstet mësimore mundëson përdorimin e teksteve në formë të shtypur, elektronike ose digjitale. Mungesa e një teksti mësimor nuk duhet të nënkuptojë se nxënësi duhet vetë të sigurojë ose të blejë materiale për të ndjekur mësimin. Kur nuk ekziston tekst mësimor i miratuar për një lëndë të caktuar, mësimdhënësi mund të përdorë materiale të përshtatshme dhe burime profesionale e arsimore, në përputhje me programin mësimor dhe rregullat për përdorimin e materialeve mësimore.” – Bekim Zendeli, drejtor i Qendrës për Arsim Profesional.

Zendeli thotë se një nga sfidat është edhe numri i madh i lëndëve profesionale, që arrin në rreth 2 mijë. Sipas tij, në disa raste, në konkurset për përgatitjen e teksteve nuk paraqiten autorë, duke e vështirësuar edhe më shumë procesin.

Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se sigurimi i teksteve shkollore për arsimin profesional është pjesë e procesit që po zhvillohet. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka deklaruar se tekstet duhet të plotësohen aty ku mungojnë, por ka theksuar se për disa lëndë profesionale nuk është domosdoshmërisht e nevojshme shtypja e një teksti tradicional, për shkak të karakterit më praktik të mësimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër