Shkup, 9 prill Zhurnal.mk – Seanca publike në Gjykatën e Apelit për rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorgjevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski është shtyrë për më 11 maj, për shkak të gjendjes shëndetësore të të dënuarit Bore Videvski.
Videvski, një nga të dënuarit për këtë rast të rëndë, tashmë ditën e dytë ndodhet i shtruar në Klinikën e Nefrologjisë, për shkak të problemeve me veshkat. Sipas autoriteteve, ai nuk është në gjendje që rrezikon jetën, por gjendja e tij ka bërë të pamundur pjesëmarrjen në seancë.
Avokati i tij, Bojan Manev, deklaroi se klienti i tij ka humbur ndjenjat para dy ditësh në paraburgim dhe se jeton vetëm me një veshkë të transplantuar, duke theksuar se ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm dhe dializë, gjë që sipas tij nuk mund të sigurohet në kushte burgu.
Nga ana tjetër, drejtori i Burgut të Shkupit, Boban Utkovski, tha se Videvski ka qenë vazhdimisht nën mbikëqyrje mjekësore dhe është dërguar mbi 20 herë për kontrolle tek mjekë të ndryshëm, përfshirë edhe në klinikat e Shkupit. Ai shtoi se i dënuari është aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Në seancën në Apel, mbrojtja pritet të arsyetojë ankesat ndaj vendimit të shkallës së parë, me të cilin Ljubço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishev janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjet, ndërsa me nga 10 vite burg për rrëmbimin.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Palevski u shpall si kryerës direkt i krimit, ndërsa të tjerët si bashkëpunëtorë. Ndërkohë, babai i vajzës, Aleksandar Gjorgjevski, i cili ishte gjithashtu i akuzuar, u lirua nga akuzat për mungesë provash.
Prokuroria ka paraqitur ankesë edhe ndaj këtij vendimi lirues, duke e mbajtur çështjen ende të hapur në gjykatat më të larta.
