Si një hapësirë ligjore mund ta lejojë Erdoganin të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale në Turqi?

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ankara, 18 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mund të hyjë sërish në garën presidenciale nëse shpallen zgjedhje të parakohshme në prill të vitit 2028, ka lënë të kuptohet këshilltari i tij i lartë, Mehmet Ucum.

Edhe pse zgjedhjet e rregullta janë planifikuar për majin e vitit 2028, Kushtetuta turke lejon mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve më herët.

Ucum u ka thënë mediave turke se zgjedhjet mund të mbahen më 16 prill 2028, me kusht që një vendim të tillë ta mbështesin 360 nga gjithsej 600 deputetët e parlamentit.

“Nëse 360 deputetë e mbështesin vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të reja, ato do të mbahen më 16 prill 2028”, tha Ucum, shkruan euronews.

Ky veprim do t’i mundësonte Erdoganit të anashkalonte kufizimin kushtetues prej maksimumi dy mandateve presidenciale, pasi ligji lejon një kandidaturë të re në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, për miratimin e këtij vendimi do të nevojiteshin marrëveshje politike. Partia në pushtet e Erdoganit, AKP, së bashku me aleatët e saj nga MHP-ja, aktualisht kontrollon 326 ulëse në parlament, që do të thotë se për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme do t’u nevojitej mbështetja e edhe 34 deputetëve.

Përveç kësaj, qeveria deri më tani disa herë ka siguruar publikun se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt.

Erdogani, 72-vjeçar, e drejton Turqinë prej më shumë se dy dekadash. Ai erdhi në pushtet si kryeministër në vitin 2003, ndërsa në vitin 2014 u zgjodh president.

Pas kalimit të Turqisë në sistem presidencial, ai fitoi zgjedhjet e vitit 2018 dhe u rizgjodh në vitin 2023.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër