Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova mori pjesë sot në Bruksel në Samitin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, të organizuar nga Euronews.
Siljanovska-Davkova kujtoi mendimin e Komisionit të Badinterit nga viti 1992, me të cilin u konstatua se Sllovenia dhe Maqedonia i plotësonin kushtet për njohje ndërkombëtare, veçanërisht në aspektin e rregullimit kushtetues dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
Sipas saj, më shumë se tri dekada më vonë, pyetja se pse njëri shtet është anëtar i Bashkimit Evropian, ndërsa tjetri ende pret perspektivën e tij evropiane, tregon mungesën e vullnetit politik te disa fqinjë.
Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese, presidentja tha se në vitin 2018, me Marrëveshjen e Prespës, shteti e ndryshoi emrin kushtetues, ndërsa qytetarëve u ishte paraqitur se bëhej fjalë për pengesën e fundit në rrugën drejt integrimit evropian.
Ajo theksoi se kërkesa e përsëritur për ndryshimin e Kushtetutës, e cila deri më tani është ndryshuar 36 herë, më së shpeshti nën presion të jashtëm, nuk mund të garantohet prej saj, pasi vendimi është në kompetencë të Kuvendit, ndërsa legjitimiteti i saj buron nga qytetarët.
Për Siljanovska-Davkovën, Bashkimi Evropian nuk është vetëm makineri politike dhe burokratike, por edhe bashkësi vlerash dhe parimesh. Duke iu referuar dispozitave të dokumenteve themeluese të BE-së që kanë të bëjnë me respektimin e identitetit kombëtar dhe kulturor, ajo tha se diversiteti është një nga vlerat themelore të unitetit evropian.
Duke u ndërlidhur me fjalimin e mëparshëm të kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq, ajo kujtoi se shteti maqedonas pret trajtim të barabartë me vendet e tjera kandidate, të bazuar në zbatimin e të njëjtave rregulla dhe standarde.
Ajo pret përfshirje të barabartë në aktivitetet përgatitore për negociatat e anëtarësimit dhe mundësi për përparim në përputhje me kushtet e përmbushura.
Presidentja u ndal edhe te nevoja për një dialog thelbësor ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, në të cilin të dyja palët do të kenë mundësi t’i paraqesin argumentet e tyre.
Sipas saj, vullneti politik nuk mund të pritet vazhdimisht vetëm nga vendet kandidate, por duhet të dëshmohet edhe nga vetë Bashkimi Evropian, veçanërisht në gjetjen e zgjidhjeve kreative për tejkalimin e ngecjes shumëvjeçare.
Si mundësi për avancimin e procesit, Siljanovska-Davkova sheh integrimin gradual përmes qasjes në tregun e përbashkët, mekanizmave të komitologjisë, digjitalizimit dhe politikave të tjera evropiane.
Presidentja theksoi se shteti ka harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, ndërsa si anëtare kredibile e NATO-s ka një përcaktim të qartë euroatlantik.
Sa i përket reformave, ajo vlerësoi se ekzistojnë kapacitete për përparim në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, por se zbatimi i tyre kërkon vullnet të brendshëm politik dhe mbështetje nga Bashkimi Evropian.
Duke folur për marrëdhëniet me Bullgarinë, Siljanovska-Davkova kujtoi takimet e deritanishme me presidentët dhe përfaqësuesit qeveritarë bullgarë, duke theksuar se do të vazhdojë të angazhohet për dialog.
Samiti iu kushtua fazës së ardhshme të zgjerimit, përparimit të vendeve kandidate dhe reformave, si dhe sfidave institucionale me të cilat përballen vendet aspirante dhe vetë Bashkimi Evropian.
