Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Levica përmes një kumtese kërkon që Kuvendi urgjentisht t’i shqyrtojë dhe miratojë ndryshimet ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në në pushtet se prej pothuajse tre muajsh po e shtyn shqyrtimin e tyre.
Në kumtesën e partisë kritikohet edhe tubimi i paralajmëruar i funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, ku do të flitet për përgjegjësinë institucionale dhe luftën kundër dhunës. Nga Levica thonë se bëhet fjalë për hipokrizi, pasi, sipas tyre, e njëjta parti para pesë ditësh ka refuzuar propozimin e tyre për mjete shtesë për mbrojtjen e viktimave.
Nga partia rikujtojnë se ndryshimet ligjore janë dorëzuar në Kuvend më 26 gusht, sipas procedurës së shkurtuar. Me to parashihet largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga shtëpia, ndalimi i afrimit dhe kontaktimit me viktimën, afate më të shkurtra për veprimin institucional, vlerësim më i mirë i rrezikut dhe mbrojtje e përforcuar për fëmijët viktima të dhunës.
Levica u bëri thirrje deputetëve të mbështesin edhe gjashtë amendamente me të cilat propozohen 456 milionë denarë shtesë për forcimin kadrovik të qendrave për punë sociale, hapjen e këshillimoreve të specializuara dhe qendrave të reja strehimore, vendosjen e një sistemi elektronik për evidencën e rasteve, mbrojtje shëndetësore falas për viktimat dhe zgjerimin e rrjetit të qendrave për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale.
Nga partia kërkojnë gjithashtu finalizimin e paketës së ndryshimeve në tetë ligje, për të cilën një grup pune ishte formuar në prill, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë për dështimet institucionale.
“Solidariteti politik me viktimat matet me veprimet në institucione dhe me votat në Kuvend, e jo me numrin e shiritave portokalli në tubimet partiake”, porosisin nga Levica.
