Gostivar, 5 gusht Zhurnal.mk – Pacientë me barkqitje, temperaturë dhe plogështi edhe më tej vazhdojnë të paraqiten pas situatës me ujin në Gostivar, edhe pse institucionet shëndetësore deklarojnë se situata po normalizohet, ka raportuar Alsat-M.
Drejtori i spitalit të përgjithshëm të Gostivarit Emri Bajrami thotë se situata vazhdon të jetë nen kontroll dhe numrat vazhdojnë të bien.
Brenda 24 orëve të fundit në repartin e infektologjisë kanë kërkuar ndihmë mjekësore 26 pacientë me simptomat e njëjta sikurse i kemi përmendur deri më tani disa herë, pra vjellje, diare dhe plogështi e përgjithshme apo dhimbje e trupit. Kurse në repartin e pediatrisë ndihmë mjekësore kanë kërkuar 17 pacientë ndërsa një pacient në këtë repart është hospitalizuar dhe do mbahet një apo dy ditë në vëzhgim, do i bëhen analizat dhe do lëshohet për kurim shtëpiak. Numri është në rënie e sipër megjithatë vazhdon të ketë pacientë te rinj”, tha Emri Bajrami, Drejor i Spitalit të Gostivarit.
Nga ana tjetër vazhdon anketimi nga Qendra e Shëndetit Publik nË Gostivar. Deri më tani, jane kryer mbi 700 anketa ndërsa nuk ka ende raste me hepatit, thonë nga Qendra e Shëndetit Publik në Gostivar.
“Deri më tani kanë arritur rreth 1060 paraqitje, dhe nga Qendra jonë e Shëndetit Publik janë punuar rreth 740 anketa. Situata me hepatitin A do ndiqet dhe do bëhen testime nëse do ketë simptoma dhe pacientët do kontrollohen nga mjekët amë apo infektologët. Por është ende herrët, presim paraqitje të simptomave pas rreth tridhjetë ditësh, nëse do ketë simptoma, dhe do vendoset çka më tutje”, tha Zorica Zafirovska, Epidemiologe nga QSHP.
Nëse do ketë paraqitje të Hepatit A apo Hepatitit E, i njëjti thonë infektologët nuk është i rrezikshëm për jetën dhe trajtohet. Në rast se paraqitet te ndonjë pacient, do të trajtohet me medikamente, thonë infektologët.
