Shkup, 25 prill Zhurnal.mk – Gjykata Penale ka caktuar masën e paraburgimit efektiv për gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në një rrjet të organizuar që ka shpërndarë botoks dhe fillerë të falsifikuar në Maqedoninë e Veriut. Për katër persona është caktuar arrest shtëpiak, ndërsa nëntë të tjerë do të përballen me masa kujdesi.
Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, aksioni është rezultat i një hetimi disa mujor dhe është zhvilluar në Shkup, Strumicë dhe Manastir, ku është goditur një grup kriminal i organizuar.
Në mesin e të dyshuarve ka edhe mjekë nga spitali “8 Shtatori” dhe Klinika e Dermatologjisë, si dhe pronarë të ordinancave private dhe bashkëpunëtorë të tyre. Hetimi përfshin edhe një doganier, i cili dyshohet se ka marrë ryshfet për të lejuar hyrjen e produkteve pa kontroll.
Autoritetet bëjnë të ditur se në skemë janë përfshirë edhe familjarë të disa të dyshuarve, të cilët kanë ndihmuar në ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve, pavarësisht se kanë qenë në dijeni për aktivitetet ilegale.
Të dyshuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “bashkim kriminal”, “shkelje të të drejtave të pronësisë industriale”, “përdorim të paautorizuar të firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”.
Sipas hetimeve, rrjeti ka kontrabanduar botoks dhe fillerë nga markat “Revolax” dhe “Dysport”, të siguruara nga Serbia, Koreja dhe Turqia, pa i regjistruar në Agjencinë për Ilaçe dhe Mjete Mjekësore dhe pa kontrollet e nevojshme të sigurisë.
Autoritetet paralajmërojnë për rreziqet serioze shëndetësore që paraqesin produkte të tilla të pakontrolluara, ndërsa rasti mbetet në hetim.
