Sofja me 170 makina për pastrimin e borës, Prishtina me një komandë të vetme – shkupjanët do të luten për diell

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 nëntor Zhurnal.mk – Çdo dimër, bora rikthen në vëmendje problemin e funksionimit të institucioneve në Shkup. Ndërsa qytetarët presin rrugë të kalueshme, trotuare të pastruara dhe transport publik që funksionon pa pengesa, ndarja e kompetencave ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe dhjetë komunave krijon një sistem ku përgjegjësia për mirëmbajtjen dimërore është e shpërndarë në disa institucione.

Për qytetarët nuk ka asnjë rëndësi nëse rruga nëpër të cilën lëvizin është në kompetencë të Qytetit apo të komunës. Udhëtimi i tyre nis në rrugën e lagjes, vazhdon në bulevard dhe përfundon para vendit të punës, shkollës apo institucionit shëndetësor.

Krahasimi me Sofjen, Prishtinën, Beogradin dhe Tiranën tregon se mirëmbajtja dimërore nuk është vetëm çështje e mekanizimit dhe parave, por mbi të gjitha e organizimit, parandalimit dhe përgjegjësisë.

Shkupi disponon 18 automjete për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve të qytetit, ndërsa Sofja ka 170 makina për pastrimin e borës. Por numri i automjeteve është vetëm një pjesë e problemit. Shumë më e rëndësishme është se kush e komandon mekanizimin, kur ai del në terren dhe kush mban përgjegjësi nëse rrugët mbeten të pakalueshme.

Sofja ka pothuajse katër herë më shumë makina për pastrimin e borës për banor

Sofja e pret dimrin me 339 makina të specializuara, prej të cilave 170 janë makina për pastrimin e borës, afro 24 mijë tonë përzierje kundër ngricave dhe 5 mijë tonë të tjera rërë për segmentet malore.

| Treguesi | Sofja | Shkupi |
| ——————————- | —————– | ————– |
| Numri i banorëve | Rreth 1.3 milionë | 526.502 |
| Automjete për pastrimin e borës | 170 | 18\* |
| Banorë për një automjet | Rreth 7.500 | Rreth 29.250 |
| Materiale kundër ngricave | 24.000 tonë | 4.280 tonë\*\* |

Sofja ka rreth 2.4 herë më shumë banorë se Shkupi, por 9.4 herë më shumë automjete për pastrimin e borës, sipas kapaciteteve të raportuara.

Kryeqyteti bullgar ka gjithashtu rreth 50 pika për reagim të shpejtë, mbikëqyrje GPS të mekanizimit dhe sensorë shtesë për kontrollin e funksionimit të plorëve për pastrimin e borës.

Gjoba për një stacion autobusi të papastruar arrin në 1.500 euro, ndërsa për borën e papastruar rreth një peme rreth 700 euro. Kompanitë e kontraktuara mbajnë përgjegjësi jo vetëm për angazhimin e mekanizimit, por edhe për rezultatin përfundimtar të pastrimit.

Prishtina me gjashtë zona dhe koordinim qendror

Me 227.466 banorë dhe lartësi mbidetare prej rreth 600 metrash, Prishtina është më e vogël se Shkupi, por përballet me kushte më të vështira dimërore.

Kryeqyteti i Kosovës e organizon mirëmbajtjen dimërore përmes një prokurimi të vetëm publik komunal, të ndarë në gjashtë lote territoriale. Secili operator është përgjegjës për zonën e tij, ndërsa mirëmbajtja përfshin rrugët, trotuaret dhe kanalizimin atmosferik.

Në Shkup, përkundrazi, përgjegjësia është e ndarë ndërmjet Qytetit dhe dhjetë komunave. Pasoja e një organizimi të tillë mund të jetë një bulevard i pastruar, por qytetarët të mos mund të arrijnë deri tek ai për shkak të rrugëve të pakalueshme të lagjeve.

Beogradi me sistem prioritetesh dhe kujdestari të vazhdueshme

Beogradi, edhe pse administrativisht është i ndarë në 17 komuna të qytetit, ka ndërmarrjen e specializuar publike “Beograd Put”, e cila kujdeset për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit.

Në nivel shtetëror, ndërmarrja “Putevi Srbije” e ka nisur sezonin dimëror më 1 nëntor, me kapacitete të konsiderueshme operative.

| Resurset për mirëmbajtjen dimërore në Serbi | Sasia |
| ——————————————- | ———– |
| Automjete dhe kamionë | 850 |
| Makineri shtesë | 343 |
| Baza operative dhe pika shërbimi | 175 |
| Punëtorë për ndërrim | 2.412 |
| Rezerva kripe | 95.000 tonë |

Rrugët janë të ndara në tri kategori, sipas përparësisë për pastrim, ndërsa në autostrada mekanizimi është në gatishmëri të vazhdueshme 24 orë.

Sot, më 28 nëntor, me reshjet e para të borës në Beograd, menjëherë është ulur shpejtësia e lejuar në disa pjesë të unazës rrugore rreth qytetit.

Këto kapacitete i referohen rrjetit rrugor shtetëror të Serbisë dhe jo vetëm Beogradit, por janë një shembull i planifikimit të integruar dhe koordinimit operativ.

Edhe Shqipëria, me klimë më të butë, ka plan të saktë dimëror

Tirana ka klimë dukshëm më të butë se Shkupi dhe reshjet e borës në zonën qendrore të qytetit janë dukuri e rrallë. Për këtë arsye, krahasimi i drejtpërdrejtë i numrit të makinave për pastrimin e borës në qytet nuk do të ishte i përshtatshëm.

Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar më 13 nëntor publikoi kapacitetet në dispozicion për mirëmbajtjen dimërore të rrjetit rrugor kombëtar.

| Resurset për mirëmbajtjen dimërore në Shqipëri | Sasia |
| ———————————————- | ———- |
| Makina për pastrimin e borës | 119 |
| Automjete dhe makineri shtesë | 517 |
| Punëtorë të angazhuar | 848 |
| Rezerva kripe | 5.369 tonë |
| Agregat guror | 4.910 tonë |

Shërbimi dimëror do të funksionojë deri më 31 mars, me burime njerëzore dhe logjistike të përcaktuara paraprakisht.

Shembulli shqiptar tregon se përgatitja për dimrin nuk varet vetëm nga shpeshtësia e reshjeve të borës, por edhe nga vlerësimi i rreziqeve dhe nevoja për funksionim të pandërprerë të transportit.

Shkupi me 18 makina për pastrimin e borës dhe 11 pushtete lokale – kush do të mbajë përgjegjësi nëse qyteti bllokohet?

Shkupi e pret dimrin me 18 automjete për pastrimin e borës, rezerva kripe dhe kujdestari 24-orëshe, sipas paralajmërimeve të kryetarit të Qytetit, Orce Gjorgjievski. Por problemi i mirëmbajtjes dimërore nuk qëndron vetëm te mekanizimi, por edhe te kompetencat e fragmentuara, tenderët e ndarë dhe koordinimi ndërmjet Qytetit dhe dhjetë komunave.

Sipas të dhënave nga programet operative, shërbimi dimëror i qytetit disponon këto kapacitete:

| Treguesi | Kapaciteti |
| ——————————————- | ————– |
| Gjithsej automjete | 18 |
| Automjete speciale të marra me qira, me GPS | 16 |
| Automjete në pronësi | 2 |
| Sipërfaqja për mirëmbajtje | 2.6 milionë m² |
| Kripë industriale e paraparë | 4.280 tonë |
| Pika operative | 2 |
| Banorë për një automjet të qytetit | 29.250 |

Një automjeti i takojnë rreth 144.400 metra katrorë sipërfaqe rrugore për mirëmbajtje. Në këtë përllogaritje nuk përfshihet mekanizimi që angazhohet veçmas nga komunat.

Më shumë tenderë, ndoshta të njëjtët kamionë

Qyteti, dhjetë komunat dhe Ndërmarrja Publike “Makedonija Pat” zhvillojnë procedura të veçanta të prokurimit publik për mirëmbajtjen dimërore, duke u mbështetur në kompanitë private të ndërtimit.

Në vitin 2023, Qyteti i Shkupit kishte lidhur një kontratë me vlerë prej afro 65 milionë denarësh për dy sezone dimërore, në një tender ku ishte paraqitur vetëm një kompani – “Neksos Inxhiniering”.

Më 18 nëntor të këtij viti, edhe “Makedonija Pat” publikoi tender për angazhimin e mekanizimit të jashtëm, me afat për dorëzimin e ofertave deri më 17 dhjetor.

Pa një regjistër unik dhe pa verifikimin e ndërsjellë të targave të automjeteve, ekziston rreziku që institucione të ndryshme të llogarisin në të njëjtët kamionë. Në letër të gjithë mund të jenë të gatshëm, por në terren një kamion nuk mund të pastrojë njëkohësisht bulevardin, rrugën e lagjes dhe një rrugë rajonale.

Programet e mëparshme operative parashikojnë që shërbimi i rregullt dimëror të intervenojë kur shtresa e borës arrin deri në 12 centimetra, ndërsa mbi këtë kufi të angazhohet mekanizim shtesë ndërtimor.

Kjo nuk do të thotë se deri atëherë nuk bëhet pastrimi, por ngre pyetjen se përse resurset shtesë nuk mobilizohen në mënyrë parandaluese, duke u bazuar në parashikimet meteorologjike.

Veçanërisht kritike janë lagjet Zhdanec, Tërnodoll, Przhino, Crniçe, Creshovë dhe Bulaçan, ku edhe një shtresë më e vogël bore mund të rrezikojë lëvizjen e qytetarëve dhe qasjen e shërbimeve të ndihmës së shpejtë mjekësore dhe zjarrfikësve.

Në fund, pyetja nuk është vetëm sa makina për pastrimin e borës ka Shkupi, por kush do të marrë përgjegjësi kur bora t’i bllokojë rrugët dhe qytetarët të mbeten të izoluar. Sepse qytetarët nuk udhëtojnë sipas kufijve administrativë të komunave, por presin që i gjithë qyteti të funksionojë si një tërësi.

Софија со 170 снегочистачи, Приштина со единствена команда – Скопјани ќе се молат на Сонцето

artikuj të ndërlidhura