Sot afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë

Nga D. V.
455 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 maj Zhurnal.mk – Subjektet politike kanë veç edhe sot afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se afati 11-ditor për subjektet politike do të përfundojë të martën në mesnatë.

“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

Sipas Elezit, numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidatë i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësonin këto subjekte politike ishte 1,279.

Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër