SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Balla: PS e PD do dalin me dy raporte

Nga D. V.
441 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri të ditur sot Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do t’i drejtohen Kuvendit me dy raporte për sa i përket kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Në një prononcim për mediet në përfundim të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Balla theksoi se Kuvendi ka marrë kohën e nevojshme për sa kohë u përfshi edhe Gjykata Kushtetuese në proces.

“Edhe vetë Gjykata e Apelit pranë SPAK pati pezulluar shqyrtimin e pezullimit sepse po shprehej Gjykata Kushtetuese”, tha Balla.

Ndërkohë Balla u shpreh se në mbledhjen e sotme pyetjet e të gjithë deputetëve ndaj të dyja palëve të përfaqësuara hodhën dritë mbi shumë çështje që lidhen me elementin thelbësor të Kushtetutës, prezumimin e pafajësisë.

“Në përfundim të këtij procesi u pa se deputetët demokratë nuk kishin nevojë për shqyrtim, pasi e kishin gati vendimin e tyre. Ndërsa në emër të pesë deputetëve të PS-së, kam informuar Këshillin e Mandateve se sa i përket kërkesës për dhënien e menjëhershme të autorizimit ne nuk ishim dakord me mënyrën e propozuar”, tha Balla.

Balla bëri të ditur se fillimisht do të informohet grupi parlamentar i PS-së, ndërsa shtoi se autorizimin nuk e jep Këshilli i Mandateve, por Kuvendi në seancë plenare.

“Në përfundim të këtij procesi, sapo të jetë hartuar plotësisht raporti nga deputeti Ulsi Manja në emër të deputetëve  të PS-së në Këshill, do t’i drejtohemi seancës plenare. Edhe deputetët e PD-së do të kenë raportin e tyre”, tha Balla.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër