Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar ekzekutimin e masave të reja të sigurimit dhe kontrolleve të vendeve në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21 shtator 2026, ka caktuar masa sigurimi: “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases V. H., me detyrë drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
“Arrest në burg” ndaj shtetasit F. K., me detyrë përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
“Arrest në burg” ndaj shtetasit E. S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Sipas SPAK, vendimet i janë përcjellë Policisë së Shtetit, e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Ndërkohë, me vendimin nr. 618, datë 20 shtator 2026, gjykata ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I. P., ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, me vendimin nr. 619, datë 21 shtator 2026, është lejuar kontrolli i kompleksit të vilave që ndodhet në kryqëzimin e rrugës “Durrësi në Shekuj” me rrugën “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderoi Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
