Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – Spitali Klinik i Manastirit po hyn në një cikël të fuqishëm investimesh dhe modernizimi. Në periudhën 2024–2026 janë blerë pajisje bashkëkohore mjekësore në vlerë prej mbi 30,4 milionë denarësh, me të cilat zëvendësohen aparate më të vjetra se 20 vjet, për të cilat nuk ekzistonte më mundësi servisimi apo mbështetje teknike, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Nga Ministria theksojnë se veçanërisht e rëndësishme është zëvendësimi i digestorit të Departamentit të Patologjisë – aparat i blerë rreth 55 vjet më parë, që nga themelimi i spitalit.
Në kuadër të modernizimit janë blerë:
• borr elektrik ortopedik,
• aparat për operacione të kataraktës me metodën fako,
• aparat eko për Departamentin e Oftalmologjisë,
• set për rezeksion monopolar për Urologjinë,
• kolonoskop dhe gastroskop të rinj për Departamentin e Sëmundjeve të Brendshme.
Spitali ka marrë gjithashtu aparat për tomografi koherente optike (OCT), aparat të ri DEXA për mjekësinë fizikale dhe rehabilitim, si dhe robot dhe zgjidhje moderne softuerike të integruara me sistemin PACS. Me këto blerje, sipas Ministrisë, përmirësohen dukshëm kapacitetet diagnostike dhe operative në disa departamente spitalore.
Paralelisht, ka nisur procedura për blerjen e pajisjes për biopsi të prostatës me udhëheqje eko. Kjo metodë moderne diagnostike do të implementohet për herë të parë në Spitalin Klinik të Manastirit, duke u mundësuar pacientëve të Manastirit dhe të gjithë rajonit diagnostikim më të shpejtë, më të saktë dhe më të qasshëm në spitalin e tyre amë.
Përveç investimeve në pajisje, nga korriku 2024 e deri më sot në spital janë realizuar 61 punësime të reja me kontratë të pacaktuar.
