Stojanovski: Buxheti për vitin 2027 është buxhet zhvillimor me rreth 663 milionë euro për investime kapitale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Buxheti për vitin 2027 është një buxhet zhvillimor me rreth 663 milionë euro të dedikuara për investime kapitale. Do të punohet intensivisht në ndërtimin e segmenteve autostradore dhe hekurudhore, si dhe në ndërtimin e stacioneve të trajtimit të ujërave të ndotura, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.

“Investimet kapitale zënë vend qendror në Buxhet, për të cilat janë paraparë 40,8 miliardë denarë, përkatësisht rreth 663 milionë euro, mjete të destinuara për realizimin e projekteve që kanë rëndësi afatgjatë për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës në shtet. Përveç kësaj, përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore planifikohen edhe 18 miliardë denarë investime, prej të cilave mbi 12 miliardë denarë janë projektuar për ndërtimin e akseve rrugore Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan dhe Prilep-Manastir, si pjesë e korridoreve strategjike infrastrukturore 8 dhe 10d”, tha ai.

Stojanoski shtoi se vazhdon edhe realizimi i segmenteve autostradore Kërçovë-Ohër, Kërçovë-Bukojçan dhe Shkup-Bllacë, duke krijuar kushte për lidhje më të mirë ndërmjet rajoneve, komunikacion më të sigurt, transport më të lehtë të mallrave dhe shërbimeve, si dhe konkurrueshmëri më të madhe të ekonomisë së Maqedonisë.

Veçanërisht të rëndësishme, shtoi Stojanoski, janë investimet në infrastrukturën hekurudhore, ku për vitin 2027 janë paraparë 6,2 miliardë denarë, që përfaqëson një rritje prej 53,6 për qind krahasuar me vitin paraprak.

“Vazhdon ndërtimi i segmentit hekurudhor Belakovcë-Kriva Pallankë, ndërsa planifikohen edhe aktivitete për segmentin Kriva Pallankë-kufiri me Bullgarinë, si dhe ndërtimi dhe pajisja e stacionit të përbashkët hekurudhor kufitar në Tabanoc dhe fillimi i projektit për furnizimin me lokomotiva të reja shtesë. Paralelisht me infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, vazhdojnë edhe investimet në projektet komunale, ndër të cilat janë stacionet e trajtimit të ujërave të ndotura në Shkup, Tetovë dhe Manastir, si dhe aktivitetet e planifikuara në Veles, Shtip dhe Vinicë”, tha Stojanoski.

Deputeti shtoi se për programin qeveritar “Zhvillimi Ekonomik” në vitin 2027 janë planifikuar 9,7 miliardë denarë, që përfaqëson një rritje prej 30,5 për qind krahasuar me vitin 2026. Këto mjete janë të destinuara për mbështetjen e investimeve, tërheqjen e investitorëve të rinj dhe krijimin e kushteve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e kompanive vendore.

artikuj të ndërlidhura