Bruksel, 8 korrik Zhurnal.mk – Eurodeputetja holandeze Tineke Strik ka përdorur foltoren e Parlamentit Europian për të ngritur shqetësime të forta mbi zhvillimet në Shqipëri. Në fjalën e saj ajo u fokusua te dy tema kryesore: dëmet serioze në mjedis dhe mbrojtja politike që Kuvendi i ka dhënë ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke mos miratuar heqjen e imunitetit të saj në funksion të hetimeve të SPAK.
Strik, e cila kishte qenë në Shqipëri pak javë më parë, tha se kishte parë nga afër situatën në Vjosë-Nartë. Ajo e quajti “të pakuptueshme” qasjen e autoriteteve që japin leje zhvillimi përpara se të kryhet vlerësimi i ndikimit në mjedis.
Eurodeputetja kritikoi gjithashtu qëndrimin e Kryeministrit Rama për vazhdimin e projektit dhe bëri me dije se Parlamenti Europian ka miratuar një amendament që kërkon shfuqizimin e ligjit dhe vendosjen e një moratoriumi, duke paralajmëruar se kjo çështje mund të dëmtojë negociatat e anëtarësimit.
Në pjesën më të ashpër të ndërhyrjes së saj, Strik u ndal te drejtësia dhe hetimet për korrupsion në nivelet e larta. Edhe pse e vlerësoi pavarësinë e SPAK si një arritje të reformës në drejtësi, ajo i bëri thirrje qartë parlamentit shqiptar që të mos vazhdojë të mbrojë politikisht zyrtarët.
Sipas saj, përveç hetimeve për korrupsion që lidhen me projektin mjedisor, SPAK ka kërkuar edhe heqjen e imunitetit për një tjetër çështje që përfshin ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Meqë Parlamenti nuk e ka pranuar këtë deri tani, eurodeputetja kërkoi urgjentisht që legjislativi shqiptar ta ndryshojë këtë vendim, të mos pengojë hetimin dhe të lejojë që drejtësia të veprojë.
Deklarata e plotë:
“Por do të dëshiroja të ndalesha te ligji për mjedisin sepse, um, unë isha vërtet anëtare e këtij grupi parlamentarësh që, që vizitoi, Shqipërinë pak javë më parë, dhe isha gjithashtu shumë mirënjohëse që u prita nga Ministri i Mjedisit, por edhe nga një komision parlamentar. Kjo ishte shumë informuese për ne.
Ne u takuam gjithashtu, sigurisht, edhe me protestuesit dhe dëgjuam shqetësimet e tyre, dhe shkuam në zonën e Vjosë-Nartës, me qëllim që të shihnim vetë se çfarë po ndodh realisht atje—çfarë janë ato protesta atje, dhe, dhe si mund ta zgjidhim këtë. Um, dhe më duhet të them se, kur shkuam atje, ishte vërtet e trishtueshme të shihje se sa shumë dëm ishte bërë tashmë në atë zonë. Pamë një rrugë 7 km të gjatë që po ndërtohej, edhe përmes dunave ku breshkat kanë zonën e tyre të folezimit, zonën e mbarështimit. Ligatinat ishin tharë, dhe lidhja mes detit dhe lagunave, është ngushtuar, gjë që është një lidhje jetike. Um, dhe, um, ne diskutuam edhe me parlamentin tuaj, dhe dëgjuam se, um, ishte dhënë një leje zhvillimi me qëllim që të kryhej një vlerësim i ndikimit në mjedis, gjë që unë personalisht e gjej mjaft të pakuptueshme—që të marrësh leje për të bërë dëm me qëllim që të vlerësosh nëse dëmi mund të bëhet. Kështu që, kjo çoi në shumë pyetje nga ana ime.
Dhe, dhe gjithashtu kur diskutuam me Ministrin e Mjedisit, um, ai shpjegoi se kjo do të ishte, e lejueshme për momentin sepse kjo zonë tani është pjesë e kategorisë 5, gjë që është gjithashtu rezultat i ndryshimit të ligjit për zonat e mbrojtura, që është miratuar në ’24. Um, dhe Komisioni Europian e bëri të qartë që më parë, kur po miratohej ky ndryshim, se kjo nuk është në përputhje me standardet e BE-së sepse, nëse nuk mund të lejosh ndërtim, në një zonë që duhet të jetë, e mbrojtur, atëherë ka që tani një paradoks të natyrshëm në këtë mes. Um, por Ministri i Mjedisit tha, ‘Epo, ne duhet t’i përmbushim këto standarde vetëm në fund të vitit të ardhshëm.’ Dhe, dhe kjo është ajo që unë dua ta sfidoj me të vërtetë, dhe, sepse, siç thotë edhe Komisioni, vendet kandidate nuk lejohen që, të bëjnë hapa pas—ekziston ky parim i mos-prapakthimit (non-regression), i cili është absolutisht kyç. Pra, të mos krijohen fakte të kryera në terren, ndonëse e dini që disa standarde duhet të përmbushen, në fund të, pra për mbylljen e kapitujve.
Kjo është edhe arsyeja pse në Parlamentin Europian, um, ne, miratuam një—një amendament. Pra, mazhoranca tha se amendamenti duhet të shfuqizohet, duhet të ketë një ligj të ri në përputhje me standardet e BE-së, por gjithashtu duhet të ketë një moratorium në mënyrë që të mos krijojmë asnjë dëm të mëtejshëm në këtë zonë përpara se të miratohet një ligj që është në përputhje me ligjin e, BE-së. Kështu që, mendoj se ka një përgjegjësi të madhe për parlamentin tani gjithashtu për t’u siguruar që ky element nuk do të minojë apo pengojë negociatat e suksesshme dhe marrëdhëniet me Parlamentin Europian, dhe, dhe Komisionin Europian, gjithashtu, sigurisht. Prandaj, mendoj se, sepse krijova paksa përshtypjen edhe nga mënyra se si Kryeministri thotë, si psh, ‘Ky projekt duhet të vazhdojë,’ që nuk ka një hapje të madhe për t’i parë me të vërtetë—kundërshtimet dhe mundësitë, ose do të thoja me siguri, shkeljen e standardeve të BE-së—Direktivën për Shpendët, Direktivën për Habitatet, etj. Ndaj, ju bëj thirrje vërtet që ta merrni këtë përgjegjësi.
Dhe e di që duhet të jem e shkurtër, ndaj vetëm një, element: E di, mendoj se, fakti që SPAK-u tani po, vepron në mënyrë aq të pavarur është vërtet një sukses i madh i të gjithë procedurës së vetting-ut. Kjo tregon gjithashtu se Shqipëria është në një rrugë të mbarë, por do të thotë gjithashtu se ata—ata tani mund të nxjerrin në dritë gjërat që po shkojnë keq. Pra, tani po zhvillohet ky hetim për, korrupsion lidhur me këtë projekt. Por ka edhe një tjetër, rast korrupsioni, për të cilin SPAK-u ka kërkuar heqjen e imunitetit në parlament, dhe kjo ka të bëjë me Zëvendëskryeministren Balluku. Deri më tani, ky parlament ka refuzuar t’ia heqë imunitetin. Do t’ju bëja thirrje vërtet urgjente që—ta zhbëni këtë, të lehtësoni këtë hetim dhe të siguroheni që drejtësia, të mund të bëhet në përgjithësi. Faleminderit.”
