Miratohet kalendari i shqyrtimit të projektligjit të ndarjes së re Territoriale, PD kundër

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot kalendarin e shqyrtimit të projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Në fillim të mbledhjes, kryetari i komisionit Ulsi Manja bëri të ditur se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u vendos që komisioni i Ligjeve të jetë i vetmi komision përgjegjës që do të shqyrtojë këtë projektligj.

Manja u shpreh se shqyrtimi në këtë komision i jep vlerën e duhur një projektligji të tillë të rëndësishëm dhe adreson edhe debatin politik dhe juridik në komision.

Ai informoi se kalendari i propozuar parashikon prezantimin në parim të projektligjit në datën 23 shtator.

“Në datën 28 shtator parashikohet seancë dëgjimore me Këshillin e Ministrave dhe ekspertë të qeverisjes vendore. Në datën 2 tetor vazhdojmë me shqyrtimin në parim të pr/ligjit dhe me prezantimin e gjetjeve të konsultimit publik”, tha Manja.

Manja informoi se sipas ligjit, konsultimi 60-ditor publik mbyllet në 29 shtator.

“Në datën 5 tetor është lënë miratimi në tërësi dhe nen për nen i projektligjit në komision dhe në datën 8 tetor i kalon seancës plenare”, informoi Manja.

Nga ana e tij deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi vuri në dukje se ndarja territoriale është një nga ligjet me efekt kushtetues themelor për mënyrën e funksionimit të vendit, jo vetëm në aspektin administrativ por edhe në aspektin demokratik.

Ai akuzoi mazhorancën se në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2027, po kërkon të ndryshojë rregullat dhe sistemin me të cilin funksionon pushteti vendor.

Një proces i tillë, sipas Bylykbashit kërkon një konsultim të thellë, shumë të kujdesshëm që nuk ka ndodhur.

“Parlamenti ngriti komisionin për reformën territoriale dhe ky komision nuk e mbaroi punën e ti. Ka bërë 1/3 e punës dhe nuk përmbylli fazën e konsultimit. Ndërkohë u refuzua shtyrja e mandatit të tij. Komisioni nuk përcaktoi as parime, as kritere dhe as metodologji. Ju parashikoni prezantimin e gjetjeve të komisionit në 2 tetor, por komisioni nuk ka miratuar asnjë analizë apo raport gjetjesh. Pse e dështuar komisionin e reformës territoriale? Ka më tepër rëndësi që të hartoni hartën territoriale për të fituar zgjedhjet në tavolinë duke ndryshuar rregullat e lojës, apo mënyra se si qeveriset pushteti vendor dhe sa afër qytetarëve është ai”, tha Bylykbashi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër