Sulejmani: Ligji i ri për përfaqësim të drejtë do t’u japë fund abuzimeve, sanksione për deklarim të rremë etnik

Nga Xh M
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 qershor Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Arsimit nga koalicioni VLEN, Driton Sulejmani, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Top Tema” në Telma, deklaroi se ligji i ri për përfaqësim adekuat dhe të drejtë do të vendosë rregulla më të qarta dhe do të parandalojë keqpërdorimet që për vite me radhë kanë shoqëruar procesin e punësimeve në administratën publike.

Sipas tij, dallimi thelbësor mes mekanizmit të deritanishëm të njohur si “balancuesi” dhe zgjidhjes së re është se përfaqësimi i drejtë nuk do të funksionojë më si një mjet administrativ, por do të jetë i rregulluar me ligj.

“Po e ngremë këtë kategori kushtetuese nga nivel mjeti në nivel ligji. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm për t’i dhënë përfaqësimit adekuat vendin që meriton. Kjo çështje duhej të ishte rregulluar që në vitin 2003, në kuadër të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, por për më shumë se dy dekada nuk u realizua. Ne e premtuam para zgjedhjeve dhe tani po e bëjmë realitet”, tha Sulejmani.

Ai u ndal edhe te një nga problemet më të diskutuara të sistemit të deritanishëm – deklarimi i rremë i përkatësisë etnike për të siguruar një vend pune në sektorin publik. Sipas Sulejmanit, ligji i ri parashikon masa ndëshkuese konkrete për raste të tilla.

“Çdo person që deklaron në mënyrë të rreme përkatësinë e tij etnike do të përballet me pasoja. Ai do të përjashtohet nga konkursi përkatës dhe nuk do të ketë të drejtë të aplikojë për punë në institucionet shtetërore për një periudhë prej tre muajsh”, theksoi ai.

Përgjegjësia, sipas tij, nuk do të mbetet vetëm te kandidatët, por do të përfshijë edhe drejtuesit e institucioneve. Drejtorët që nuk do ta zbatojnë ligjin do të përballen me përgjegjësi politike, masë që Sulejmani e vlerësoi si më efektive sesa gjobat financiare të aplikuara deri më tani.

Duke komentuar vërejtjet e Komisionit të Venecias lidhur me sistemin e meritës dhe koordinimin institucional, ai mohoi se propozim-ligji bie ndesh me rekomandimet ndërkombëtare. Sulejmani theksoi se në nenin 9 të ligjit parashihet krijimi i një trupi koordinues që do të monitorojë zbatimin e tij.

“Metodologjia do të përgatitet nga Agjencia për Administratë në bashkëpunim me trupin koordinues, ndërsa zëvendëskryeministri i parë do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në të gjitha institucionet shtetërore”, deklaroi ai.

Në fund, Sulejmani vlerësoi se ligji i ri është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të drejtësisë, barazisë dhe stabilitetit institucional, duke shtuar se Qeveria ka qenë veçanërisht e kujdesshme në hartimin e tij për të shmangur problemet dhe keqpërdorimet që kanë ekzistuar në të kaluarën.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër