Likovë, 29 shtator Zhurnal.mk – Një 16-vjeçar është plagosur rëndë pas një përleshjeje në fshatin Mateç të Likovës, ndërsa policia ka ndaluar dy bashkëmoshatarë të tij.
Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 29 shtator, ndërsa rreth orës 00:30 policia e SPB Kumanovë ka privuar nga liria dy të miturit, nën dyshimin se e kanë sulmuar 16-vjeçarin me një mjet të mprehtë.
I mituri i lënduar është dërguar për trajtim në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku është konstatuar se ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Policia po punon për dokumentimin e plotë të rastit, pas së cilës do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
