Moskë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Rusia kreu gjatë natës një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke goditur të paktën nëntë qytete, raportoi AP.
Sulmet vazhduan edhe në orët e mëngjesit, ndërsa shpërthime u dëgjuan edhe në Kiev.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, objektivat ishin kryesisht objekte të lidhura me luftën, përfshirë ndërmarrje industriale, rafineri nafte, qendra logjistike dhe infrastrukturë portuale.
Megjithatë, u dëmtuan edhe zona civile dhe ndërtesa banimi.
Sipas autoriteteve ukrainase, dy persona u vranë, një grua 78-vjeçare në rajonin e Zaporizhias dhe një person në rajonin e Kharkivit. Të paktën 14 persona të tjerë u plagosën.
Në Kiev, sulmet prekën katër zona të qytetit dhe dëmtuan ndërtesa banimi, një shkollë dhe një qendër shëndetësore. Nuk pati viktima të raportuara në kryeqytet.
Rajoni i Odesës u sulmua për më shumë se shtatë orë. U dëmtua një pallat 16-katësh, dy objekte arsimore dhe një magazinë gruri.
Sulmi shkaktoi gjithashtu vonesa të mëdha në transportin hekurudhor, me disa trena që u vonuan më shumë se 17 orë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia po rrit prodhimin dhe përdorimin e raketave dhe se Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, veçanërisht për të përballuar raketat balistike.
Ukraina ka mungesa të mëdha të raketave për sistemet amerikane “Patriot”.
Ukraina sulmon objektivat në Rusi
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të kryejë sulme me dronë me rreze të gjatë brenda territorit rus.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm ukrainas, raketat e lëshuara nga avionët goditën pika komanduese ruse pranë Donetskut.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se mbrojtja ajrore rrëzoi 267 dronë ukrainas gjatë natës mbi 14 rajone ruse, si dhe mbi Krimenë e aneksuar ilegalisht, Detin e Azovit dhe Detin e Zi.
Dronët ukrainas kanë goditur gjithashtu “Ozon”, kompaninë e dytë më të madhe ruse të tregtisë online, pas sulmeve të mëparshme ndaj magazinave të gjigantit rus “Wildberries”.
Zelensky pritet të vizitojë Moldavinë
Zelensky pritet të vizitojë sot Moldavinë, në kuadër të festimeve për Ditën e Pavarësisë së vendit.
Ministria moldave e Mbrojtjes tha se pesë dronë hynë në hapësirën ajrore të Moldavisë gjatë natës, por nuk përcaktoi se kush i kishte lëshuar.
