Tetovë, 30 tetor Zhurnal.mk – Një prind i shqetësuar nga Tetova ngre alarmin për një seri sulmesh dhe kërcënimesh ndaj fëmijëve të mitur në qytet, duke pretenduar se disa prej tyre kanë prapavijë ndëretnike dhe lidhen me rivalitetin mes grupeve të tifozëve „Ballistët” dhe „Vojvodët”.
„Fëmijët tanë kanë frikë të dalin në rrugë. I dërgojmë me vetura kudo, sepse nuk guxojmë t’i lëmë të dalin vetëm. Kjo nuk është dhunë e zakonshme mes bashkëmoshatarëve, por sulme që shkaktojnë shqetësim serioz për shkak të tensioneve të mundshme ndëretnike”, rrëfen prindi në një bisedë për „Fokus”.
Prindi, i cili ka kërkuar të mbetet anonim për arsye sigurie, pretendon se gjatë muajve të fundit disa fëmijë janë ndaluar, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht nga grupe të të miturve më të rritur. Sipas tij, fëmijëve u bëhen pyetje se cilën skuadër mbështesin, nëse janë me „Ballistët” apo „Vojvodët”, si dhe kontrollohen nëse mbajnë fanella apo veshje që lidhen me Teteksin.
Ai rrëfen se edhe djali i tij 11-vjeçar është ndaluar dhe keqtrajtuar nga një grup prej pesë deri në gjashtë djemsh më të rritur, derisa po shkonte në futboll. Edhe pse fëmija nuk ka pësuar lëndime fizike, prindi thotë se tashmë ka frikë të dalë vetëm dhe se familja detyrohet ta shoqërojë me veturë në aktivitetet jashtë shtëpisë.
Sipas pretendimeve të tij, disa nga incidentet janë filmuar me telefona dhe më pas janë publikuar në rrjetet sociale, përfshirë edhe TikTok. Ai thotë se ka në dispozicion publikime dhe dëshmi të prindërve të tjerë që raportojnë për raste të ngjashme.
Prindi shpreh pakënaqësi edhe për reagimin e policisë, duke kërkuar që rastet të hetohen dhe të përfshihen edhe shërbimet kompetente nga Shkupi, përfshirë kontrollin e brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga ana tjetër, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, në një përgjigje për „Fokus”, konfirmon se gjatë vitit 2026 janë raportuar gjithsej 12 raste të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe incidente të tjera mes të miturve, disa prej të cilave me dimension ndëretnik.
Sipas statistikave policore, pesë raste janë zbardhur, janë identifikuar autorët dhe janë ndërmarrë masa ligjore. Ndaj prindërve ose kujdestarëve janë iniciuar procedura kundërvajtëse në përputhje me nenin 34 të Ligjit për Kundërvajtjet kundër Rendit dhe Qetësisë Publike.
Gjithashtu, janë zbardhur tri vepra penale dhe janë kompletuar provat. Për dy prej tyre tashmë janë dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë, ndërsa rasti i tretë ndodhet në fazën përfundimtare të dokumentimit.
Katër rastet e tjera janë ende në procedurë hetimore. Për dy prej tyre policia tashmë i njeh autorët e dyshuar, por pret raportin zyrtar nga Qendra për Punë Sociale, ndërsa për dy rastet e mbetura ka persona të dyshuar dhe po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjeve.
Policia hedh poshtë kategorikisht pretendimet se denoncimet janë injoruar apo se rastet janë fshehur.
„SPB Tetovë vepron në mënyrë përkatëse për çdo rast që ka të bëjë me sigurinë e të miturve. Mbrojtja e fëmijëve, parandalimi i dhunës së të miturve dhe ruajtja e rendit dhe qetësisë publike janë prioriteti ynë kryesor në punën e përditshme”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Nga SPB Tetovë sqarojnë se procedurat ku përfshihen të miturit zhvillohen në përputhje me ligjin dhe se për çdo rast njoftohen Qendra për Punë Sociale dhe prokurorët kompetentë për të mitur.
Bisedat me fëmijët zhvillohen në praninë e prindërve, punonjësve socialë dhe psikologëve, gjë që, sipas policisë, kërkon kohë shtesë për trajtimin e rasteve.
Policia thekson se çdo denoncim evidentohet, ndërmerren masa operative në terren, zhvillohen biseda me të miturit dhe prindërit, si dhe shqyrtohen incizimet dhe materialet e publikuara në rrjetet sociale.
Gjatë vitit, SPB Tetovë thotë se zhvillon edhe aktivitete parandaluese në shkollat fillore dhe të mesme, përmes ligjëratave, punëtorive dhe takimeve me nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
Në fund, policia u bën thirrje prindërve, mediave dhe opinionit që të ruajnë qetësinë dhe të mos lejojnë politizimin e rasteve apo nxitjen e mëtejshme të tensioneve ndëretnike.
„U bëjmë thirrje prindërve që çdo ngjarje të dyshimtë apo të dhunshme ta paraqesin menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin pa pagesë 192”, apelojnë nga SPB Tetovë.
