Supremja e shpall të paligjshëm nenin e OAK-së për humbjen automatike të së drejtës së avokatisë

Nga D. V.
221 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 maj, Zhurnal.mk – Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 61 të Statutit të Oda e Avokatëve të Kosovës, dispozitë kjo që parashihte humbjen automatike të së drejtës për ushtrimin e avokatisë në rast të mospagesës së obligimeve financiare ndaj Odës.

Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së Nasuf Hasani kundër OAK-së, lidhur me ligjshmërinë e kësaj dispozite statutare të miratuar më 4 nëntor 2017.

Në njoftimin e Gjykatës Supreme thuhet se “është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 2 i nenit 61 të Statutit të Odës së Avokatëve të Kosovës”.

Sipas Gjykatës, shqyrtimi i ligjshmërisë së Statutit të OAK-së “nuk përbën ndërhyrje në pavarësinë funksionale të Odës së Avokatëve”, duke theksuar se Gjykata Supreme ka juridiksion për të vlerësuar ligjshmërinë e çdo akti nënligjor të institucioneve publike.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme vlerëson se Ligji për Avokatinë përcakton qartë se avokati e humb të drejtën për ushtrimin e profesionit vetëm nëse brenda një viti nuk i përmbush detyrimet financiare ndaj Odës.

“Ky standard minimal kohor i përcaktuar me ligj nuk mund të ndryshohet me akt nënligjor”, thuhet në vendim.

Gjykata konstatoi se dispozita e Statutit të OAK-së i jepte Odës kompetencë për të caktuar afate më të shkurtra se ato të parapara me ligj, duke krijuar kështu “standard juridik më të ashpër se ai i përcaktuar me ligj”.

Sipas Supremes, një rregullim i tillë “cenon parimin e hierarkisë së akteve juridike”, pasi Statuti nuk kufizohej vetëm në zbatimin e ligjit, por ndryshonte përmbajtjen materiale të tij.

Në përfundim, Gjykata Supreme vlerësoi se dispozita e shfuqizuar krijonte “regjim juridik të pavarur dhe në kundërshtim me ligjin”, duke cenuar parimin e sigurisë juridike dhe atë të ligjshmërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër