Suspendohen kryeprokurorja dhe prokurorja e përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Vuçetaj u suspendua nga KPK-ja, me rekomandim të tij.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së, të mbajtur më 29 tetor u suspendua nga detyra edhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi, e cila ishte prokurore e rastit të Zekajt dhe njëherësh koordinatore për raste të dhunës në familje.

Si ndaj Vuçetajt, ashtu edhe ndaj Nallbani Gacaferit, KPK vendosi që të inicohen procedura disiplinore dhe për këtë u themelua panel hetimor, raporton Betimi për Drejtësi.

Duke komentuar vendimin e KPK-së, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se për herë të parë në dekadën e fundit, ky këshill i tha “jo kulturës së pandëshkueshmërisë”.

“Ky vendim është llogaridhënie, është mesazh ndaj secilit se jeta e njeriut është e shenjtë, të drejtat e grave nuk janë dekor, pozita zyrtare nuk janë privilegj, por duhet të jetë shërbim, përkushtim dhe përgjegjësi”, shkroi ai në Facebook.

Miftaraj tha se shembullin e KPK-së për llogaridhënie duhet ta ndjekin edhe institucionet e tjera, përfshirë policinë, gjyqësorin, shërbimet sociale, Komuna e Pejës, Ministria e Drejtësisë dhe ajo për Punë të Brendshme.

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit dhe dorasi i dyshuar është kunati i saj, i cili është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.

Ajo kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Dy ditë para vrasjes, ajo i kishte shkruar një letër kryeprokurores Vuçetaj, duke u ankuar për mënyrën e trajtimit të rastit të saj dhe moszbatimit të vendimit gjyqësor.

Zekaj i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.

Më vonë ishte lëshuar një urdhër urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.

Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.

Pas vrasjes së saj, Prokuroria Themelore në Pejë tha se, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.

Në ditën e vrasjes, Arlinda Zekaj e bëri denoncimin e fundit për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, u ndalua për 48 orë, teksa ajo këmbënguli që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.

E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e pranoi se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbënguli në të drejtat e saj.

Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.

Kunati i saj më pas u arratis, por u arrestua në Deçan në orët e vona të 27 tetorit dhe më pas gjykata i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji.

Arlinda Zekaj është gruaja e tetë që është vrarë gjatë këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar një raport nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme për këtë rast. Ai ka thënë se në rastin e Zekajt qartazi që ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

artikuj të ndërlidhura