BE synon uljen e varësisë nga Kina, por kjo mund të rrisë kostot

Nga D V
A+ A-
Rivendos
Bruksel, 29 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian pritet të paraqesë në fillim të dhjetorit një instrument të ri për të nxitur kompanitë të diversifikojnë furnizuesit dhe të ulin varësinë strategjike nga një vend i vetëm.
Nisma synon të mbrojë ekonominë evropiane nga rreziqet e ndërprerjes së furnizimeve, veçanërisht nga Kina, e cila në vitin 2025 bllokoi eksportet e metaleve të rralla, thelbësore për teknologjitë e gjelbra, industrinë digjitale dhe mbrojtjen, sipas Euronews.
Po atë vit, industria evropiane e automobilave u përball me rreziqe pas ndërprerjes së furnizimit me çipa strategjikë nga Pekini.

Megjithatë, diversifikimi mund të sjellë kosto më të larta për bizneset dhe konsumatorët. Luisa Santos, zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e organizatës “BusinessEurope”, tha se kompanitë zgjedhin furnizuesit që ofrojnë raportin më të mirë mes çmimit dhe performancës.

Nga ana tjetër, komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefçoviç, ka theksuar se kompanitë duhet të përfshijnë në planet e tyre edhe kostot e sigurisë së furnizimit, duke i trajtuar rreziqet gjeopolitike si një çështje thelbësore të biznesit.

Ende nuk është përcaktuar se cilët sektorë do të përfshihen në instrumentin e ri. Përfaqësuesit e biznesit argumentojnë se masat duhet të përqendrohen te produktet për të cilat varësia mund të përdoret si mjet presioni politik ose ekonomik.

Për disa lëndë të para kritike, si metalet e rralla, diversifikimi mbetet veçanërisht i vështirë, pasi Kina dominon prodhimin dhe përpunimin e tyre dhe alternativat e disponueshme janë të kufizuara.

Si model për nismën e re, Komisioni Evropian mund të marrë përvojën e planit “REPowerEU”, i nisur në vitin 2022 për të ulur varësinë nga energjia ruse pas fillimit të luftës në Ukrainë. Plani ka nxitur investime në energjinë e rinovueshme, gjetjen e furnizuesve të rinj dhe blerjet e përbashkëta të energjisë, por përshtatja ka sjellë edhe rritje të çmimeve për konsumatorët evropianë.

Sipas studiuesit Tobias Gherke të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, skenari më i kufizuar do të përfshinte vetëm disa sektorë kritikë, si energjia dhe industria e mbrojtjes.

Një skenar më i gjerë do të parashikonte vendosjen e tarifave për kompanitë që blejnë më shumë se një prag të caktuar të një produkti nga një burim i vetëm, me synimin për t’i nxitur të kërkojnë alternativa.

Megjithatë, kjo mund të shtrenjtojë lëndët e para dhe të ndikojë në disa sektorë njëkohësisht, nga teknologjitë e gjelbra te mbrojtja dhe industria digjitale. Për BE-në, sfida do të jetë gjetja e një ekuilibri mes sigurisë ekonomike dhe kostove që do të duhet të përballojnë bizneset dhe qytetarët.

artikuj të ndërlidhura