Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cilësoi sot shifrat e fundit mbi ekonominë e vendit jo thjesht statistika, por paralajmërim se kapacitetet prodhuese po përdoren gjithnjë e më pak.
Sipas saj, të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe INSTAT tregojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në letër.
“Industria dhe bujqësia janë në rënie, ndërsa rritja mbahet pothuajse ekskluzivisht nga turizmi, ndërtimi dhe shpenzimi publik”, u shpreh Tabaku.
Kjo, sipas saj, nuk është një fazë kalimtare e padëmshme por shenjë e një modeli ekonomik të pabalancuar.
“Ajo që po ndodh sot është zhvendosje e burimeve nga prodhimi drejt fitimit të shpejtë. Sektorët që po rriten më shpejt po thithin kapitalin, fuqinë punëtore dhe vëmendjen e politikave publike. Si pasojë, prodhimi vendas, industria dhe bujqësia, po mbetet pa investime, pa punëtorë dhe pa perspektivë”, deklaroi Tabaku.
Deputetja shtoi se kostot në ekonomi rriten, eksportet dobësohen dhe mallrat e importuara zëvendësojnë gjithnjë e më shumë prodhimin vendas.
“Një rritje që duket pozitive në sipërfaqe, në fakt po gërryen themelet e ekonomisë”, nënvizoi Tabaku.
Në këto kushte, theksoi ajo, Shqipëria nuk po ndërton një ekonomi prodhimi.
“Po ndërton një “ekonomi hoteli”. Një ekonomi që nuk prodhon mallra, nuk krijon zinxhirë vlere dhe nuk eksporton dije apo industri. Një ekonomi që shet shërbime, shfrytëzon tokën dhe ndërton beton. Një ekonomi që jeton nga sezoni, moti dhe flukset e momentit”, deklaroi Tabaku.
Industria dhe bujqësia, sipas saj, po tkurren jo sepse janë të paafta, por sepse mjedisi ekonomik i ndërtuar sot nuk i shpërblen ato.
“Pasojat po i ndjejmë çdo ditë. Kostoja e jetesës rritet më shpejt se mirëqenia reale. Pagat rriten jo nga produktiviteti, por nga mungesa e punëtorëve për shkak të emigracionit dhe demografisë. Fitues janë pronarët e tokës dhe pasurive të paluajtshme. Humbëse është shtresa e mesme, bizneset prodhuese dhe të rinjtë që nuk shohin perspektivë afatgjatë”, tha Tabaku.
Sipas saj, kjo është një ekonomi që polarizon shoqërinë dhe dobëson themelet e saj.
“Një vend nuk mund të bëhet i pasur duke i shërbyer turistëve dhe duke ndërtuar pafund. Pa industri, pa bujqësi konkurruese dhe pa dije teknike, Shqipëria rrezikon të mbetet përgjithmonë një ekonomi e të ardhurave të mesme, një vend pushimi për të tjerët, por jo një vend me fuqi reale ekonomike për qytetarët e vet”, shtoi Tabaku.
Deputetja theksoi se kjo nuk është rrugë zhvillimi, por rrugë varësie.

