Shkup, 16 shtator Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, realizoi takim të lamtumirës me ambasadorin e Republikës së Kazakistanit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. z. Sadbaldi Burshakov.
Në takim, Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për angazhimin e ambasadorit Burshakov në avancimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, duke theksuar progresin e arritur në bashkëpunimin dypalësh, ekonomik dhe parlamentar.
U përshëndet përfundimi me sukses i negociatave për tre marrëveshjet e rëndësishme në sferën juridike – për ndihmën e ndërsjellë juridike në lëndët penale, transferimin e personave të dënuar dhe ekstradimin. Si hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ekonomik ishte veçuar nënshkrimi i Protokollit për sesionin e parë të Komisionit të Përbashkët për Tregti dhe Bashkëpunim Ekonomik, si dhe i Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim Ekonomik.
Kryetari Gashi theksoi se ka hapësirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve parlamentare, veçanërisht përmes Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Kazakistanin dhe kontaktit të rregullt midis dy parlamenteve. Ai e përshëndeti edhe hapjen e Ambasadës Rezidente të Kazakistanit në Shkup, duke e vlerësuar si hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Ambasadori Burshakov falënderoi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme gjatë mandatit të tij në Maqedoninë e Veriut. Ai ndau përshtypjet pozitive nga përvoja e tij diplomatike në vend dhe theksoi se do t’i kujtojë me kënaqësi kontaktet dhe marrëdhëniet miqësore të krijuara gjatë mandatit të tij. Njëkohësisht, shprehu besimin se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet miqësore midis Kazakistanit dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë të thellohen.
Në fund, Kryetari Gashi i shprehu dëshirat më të mira ambasadorit Burshakov për suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, me bindjen se bashkëpunimi i mirë deri më tani do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
