Takimi i liderëve, Selmani: Menaxhim krize, e jo zgjidhje

Nga admin
484 e lexuar

Shkup, 15 janar – Takimi i liderëve, një sinjal politik, por jo edhe zgjidhje në vetvete për ngërçin politik, por edhe problemet e qytetarëve. Si çështje akute me zgjidhje të shpejtë u nënvizua ligji për qytet të sigurt, ndërkohë çështjes së badinterit në Kuvend, heqjen e Qeverisë teknike dhe transformimit të modelit zgjedhor, sikur nuk iu vu pika. Mungonte socialdemokrati Venko Filipçe, që sipas profesorit universitar Bashkim Selmani, e la dialogun politik në udhëkryq. Takimi i liderëve, sipas tij, ishte vetëm formal, për t’i menaxhuar krizat, e jo për t’i zgjidhur ato.

“Ky takim mund të vlerësohet në dy plane. E para është ajo formale, një përpjekje për të ruajtur stabilitetin dhe për të dhënë mesazh se ekziston dialogu, ndërsa pjesa e dytë apo standardi substancial, i kufizuar, sepse dallimet midis palëve janë strukturore: zgjedhjet, qeverisja, drejtësia, legjitimiteti politik jo thjesht teknike. Pa marrë parasysh, si dhe pa mos qenë këto marrëveshje të qarta, të afatizuara dhe të zbatueshme, këto takime mbeten më shumë menaxhim krize se sa zgjidhje e krizës afatgjate, siç janë disa nga problemet emergjente në Maqedoni, borxhi publik, krimi, korrupsioni, mosbesueshmëria në institucionet, në drejtësi dhe administrata e politizuar. Asnjëra nga këto çështje nuk ishte temë diskutimi.”, – deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.

Kryeministri mohoi të kenë diskutuar për zgjedhjet e parakohshme. Por, profesori universitar Selmani konsideron se një gjë e tillë është opsionale nëse dialogu dështon plotësisht, kriza nuk menaxhohet brenda Kuvendit dhe shtohet presioni publik për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Nëse kriza thellohet dhe bllokadat vazhdojnë, presioni për zgjedhje do të rritet. Por, në këto momente, zgjedhjet janë të pakuptimta për arsye se harxhimet dhe kostot janë shumë të larta. Stabiliteti që ka të bëjë me shumicën parlamentare, kjo drejtpërsëdrejti varet nga vullneti i kryeministrit dhe partisë që aktualisht po menaxhon me shtetin. Presioni publik dhe ndërkombëtar, në rast se humbet besimi i qytetarëve dhe rrezikohet stabiliteti institucional apo proceset eurointegruese, zgjedhjet shihen si dalje politike nga kriza.”, – theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.

Liderët lanë që modeli zgjedhor të definohet deri në qershor. Koalicioni VLEN nuk ka të konkretizuar ndonjë qëndrim, por kërkon lista të hapura. Ngjashëm edhe BDI. Heqja e Qeverisë teknike pa mendimin e LSDM-së mbetet në funksion edhe në njëqindëshin e fundit të kësaj Qeverie. Ndërkohë që për ombudsmanin nga E Majta kanë kërkuar që i njëjti të jetë pjesëtar i komunitetit rom. Ndërkohë, Kuvendi ende nuk ka caktuar seancë për jetësimin e “Qytetit të Sigurt” nga muaji shkurt.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër