Dibër, 4 korrik Zhurnal.mk – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, gjatë fjalimit të tij në kuvendin e degës së Dibrës, ka sqaruar arsyet e largimit të partisë nga qeveria.
Taravari tha se Aleanca për Shqiptarët ishte përballë dy zgjedhjeve: të largohej nga qeveria për të alarmuar opinionin se gjërat nuk po shkonin në drejtimin e duhur, ose të qëndronte në heshtje.
Sipas tij, partia zgjodhi të largohej për të mos u bërë pjesë e problemeve që, siç u shpreh ai, po shfaqeshin brenda ekzekutivit.
Në fjalën e tij, Taravari kritikoi edhe koalicionin VLEN, duke deklaruar se ai ka zgjedhur të heshtë përballë zhvillimeve politike, në vend që të reagojë ndaj situatës.
Deklaratat e Taravarit u bënë gjatë kuvendit të degës së Aleancës për Shqiptarët në Dibër.
Në vazhdën e përgatitjeve për Kongresin e ardhshëm, Aleanca për Shqiptarët po vazhdon me intensitet procesin e riorganizimit dhe konsolidimit të strukturave të saj në të gjitha degët e vendit.
Në një atmosferë pozitive, me pjesëmarrje të madhe të anëtarëve, aktivistëve dhe mbështetësve, sonte u zhvillua Kuvendi Zgjedhor i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Dibër. Gjatë punimeve të kuvendit u zgjodh udhëheqja e re e degës, si dhe u kompletuan organet drejtuese që do ta udhëheqin aktivitetin politik në periudhën e ardhshme.Në këtë ngjarje morën pjesë drejtuesit më të lartë të Aleancës për Shqiptarët, të kryesuar nga kryetari Dr.Arben Taravari , së bashku me deputetë, funksionarë partiakë, aktivistë dhe qytetarë të shumtë, duke dëshmuar unitetin, mbështetjen dhe vullnetin për ta çuar përpara vizionin politik të partisë.
Kuvendarët, përmes votimit, i besuan drejtimin e Degës së Dibrës udhëheqjes së re kryesuar nga Shefki Kiu Lleshi, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve shprehu falënderim për besimin e dhënë dhe u zotua se me përgjegjësi, transparencë dhe angazhim të vazhdueshëm do të punojë për forcimin e strukturës së degës, rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe avancimin e objektivave të Aleancës për Shqiptarët.
Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një organizimi modern, të fuqishëm dhe të bashkuar, duke vazhduar procesin e konsolidimit në çdo degë të saj, me synimin që të jetë gjithnjë më pranë qytetarëve dhe nevojave të tyre.
