Shkup, 10 tetor Zhurnal.mk – Gjatë ditës së djeshme, në opinion u publikuan informacione për një rast të lidhur me dhunën e dyshuar policore ndaj dy të rinjve, të moshës 21 dhe 23 vjeç, gjatë një ndërhyrjeje policore që ndodhi më 7 tetor në Shkup.
Sipas pretendimeve të të rinjve, zyrtarët policorë kanë përdorur forcë të tepruar fizike, ndërsa keqtrajtimi dyshohet se ka vazhduar edhe pasi ata ishin vënë nën kontroll, me duart e lidhura dhe të shtrirë në tokë. Ata pretendojnë gjithashtu se policët kanë përdorur armë zjarri, kanë qëlluar drejt automjetit të tyre dhe ua kanë dëmtuar gomat.
Rasti shkaktoi reagime edhe në skenën politike. Nga BDI-ja kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së mundshme të zyrtarëve policorë.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ministri ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale që të shqyrtojë të gjitha rrethanat që lidhen me ndërhyrjen.
Në redaksinë e TV21 kanë mbërritur edhe informacione shtesë, ende jozyrtare, lidhur me prapavijën e këtij rasti.
Sipas këtyre informacioneve, ndërhyrja policore dyshohet se lidhej me një denoncim të mëparshëm për transport të mundshëm të lëndëve narkotike nga Tetova drejt Shkupit.
Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se patrulla policore që mori pjesë në ndërhyrje, jozyrtarisht njihej me emrin „Jugosllavia“, për shkak të përbërjes së saj të përzier etnike.
Sipas të njëjtave informacione, në patrullë dyshohet se kishte zyrtarë policorë me përkatësi etnike maqedonase, shqiptare dhe boshnjake.
Për më tepër, në TV21 kanë mbërritur informacione se pritet të sanksionohen të gjithë zyrtarët policorë që morën pjesë në ndërhyrjen e kontestuar.
Hetimi vazhdon, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme priten informacione shtesë për gjendjen faktike të konstatuar dhe masat e mundshme ndaj zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.
