Të rinjtë i bashkohen valës së protestave rinore në Evropë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Frankfurt, 30 tetor, Zhurnal.mk – Dhjetëra mijëra të rinj gjermanë pritet të dalin të shtunën në rrugë për të protestuar, në kuadër të valës së demonstratave që po përhapet në Evropë, të udhëhequra nga të rinjtë, të cilët akuzojnë elitat politike se po shpërfillin shqetësimet e tyre.

Nga Franca në Itali dhe Spanjë, të rinjtë kanë protestuar gjatë javëve të fundit për të bërë të dëgjohet zëri i tyre. Në disa raste, demonstratat kanë degjeneruar në akte të rënda dhune.

Në Gjermani, rreth 150 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në protestat e së shtunës, të cilat do të zhvillohen në rreth 30 qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin dhe Këlnin. Protestat organizohen nga lëvizja e quajtur “GenZ regelt!” (Gjenerata Z merr situatën në dorë).

Lëvizja ka theksuar se kundërshton çdo formë dhune, por autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie, duke angazhuar mijëra efektivë policie. Ndërkohë, disa dyqane luksoze, veçanërisht bizhuteritë dhe veshjet, kanë mbuluar vitrinat me dërrasa, për t’u mbrojtur nga grabitjet e mundshme.

Pakënaqësitë e protestuesve lidhen me rritjen e kostos së jetesës, gjendjen e dobët të shkollave, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe politikat qeveritare, të cilat, sipas tyre, nuk marrin parasysh interesat e brezit të ri. Ata kundërshtojnë gjithashtu shkurtimet në arsim, kulturë dhe shëndetësi, ndërsa kritikojnë përfitimet e korporatave të mëdha dhe rritjen e shpenzimeve për armatimin.

Një tjetër shqetësim i të rinjve është plani i Gjermanisë për të forcuar ushtrinë përmes një modeli të ri shërbimi vullnetar, pasi ata druhen se mund të rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Autoritetet kanë shprehur shqetësimin se protestat, të cilat përkojnë me festën e Halloween-it, mund të shoqërohen me incidente të ngjashme me ato të vendeve të tjera evropiane.

Në Francë, demonstratat mbarëkombëtare të 17 tetorit degjeneruan në disa nga trazirat më të rënda të viteve të fundit. Berlini është në kontakt me autoritetet franceze dhe italiane për shkak të frikës se grupe radikale nga jashtë mund të përpiqen t’u bashkohen protestave në Gjermani.

Megjithatë, Ministria e Brendshme gjermane ka theksuar se duhet bërë dallimi mes protestave paqësore të studentëve dhe grupeve ekstremiste të dhunshme që mund të përpiqen të marrin nën kontroll demonstratat. Autoritetet deklarojnë se deri tani nuk kanë prova për plane konkrete dhune. Organizatorët, nga ana e tyre, kanë deklaruar se grupet ekstremiste, simbolet antikushtetuese, racizmi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në lëvizjen e tyre.

Eksperti i lëvizjeve protestuese, Christian Volk, nga Universiteti Humboldt i Berlinit, vlerëson se në Gjermani po krijohet një presion i madh që mund të çojë në një lëvizje të rëndësishme protestuese. Sipas tij, të rinjtë kërkojnë që përvojat dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen të dëgjohen, ndërsa thekson se Gjermania ka një traditë të ndryshme nga Franca për sa i përket formave më konfrontuese të protestës.

artikuj të ndërlidhura