Shkup, 26 korrik Zhurnal.mk – Tentativat për të kompletuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojnë pas pushimeve verore të cilat përfundojnë në fund të muajit gusht. Të mërkurën u mbajt seanca e fundit, kurse punës me lëndët, gjyqtarët i rikthehen në shtator. Deri atëherë, gjasat janë pothuajse minimale të zgjidhen dy gjyqtarët që i mungojnë Kushtetueses, pasi edhe shtëpia legjislative që duhet t’i votojë, prej 2 gushtit do të jetë në pushim vjetor.
Pas dorëheqjes së gjyqtarit kushtetues Goce Naumovski, kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Gjorgija Sajkovski në një bisedë të shkurtër telefonike për Alsat thotë se në seancën e radhës të komisionit duhet të konstatohet dorëheqja, ndërsa më pas të vijojë procedura për propozimin dhe votimin e gjyqtarit të ri. E tërë kjo, me shumë gjasë do të mbetet për në vjeshtë për shkak të afatit të shkurtër. E njëjta pritet të ndodh edhe për gjyqtaren e propozuar nga Këshilli Gjyqësor, Meri Dika Gjorgievska, e cila disa muaj pret të votohet në plenare, megjithatë disa herë ka dështuar votimi në Kuvend, nën arsyetimin se mungon përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor.
Gjendja faktike e këtillë e mban Gjykatën Kushtetuese me duar të lidhura për të vendosur për lëndën më të vjetër dhe mbase më të ndjeshme, atë për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Arsyeja është se vetë Gjykata ka miratuar konkluzion se për këtë lëndë do të vendosë në përbërje të plotë prej 9 gjyqtarësh.
Nëse në vjeshtë Kuvendi i zgjedh dy gjyqtarët, atëherë Kushtetuesja mund të vazhdojë procedurën për të mbajtur seancën përgatitore e cila dy herë është anuluar, një herë për shkak tragjedisë së Koçanit dhe herën tjetër për shkak se gjyqtarja raportuese u largua nga detyra.
Megjithatë, skenarët duken të paparashikueshëm. Kushtetuesja duhet të vendos për lëndën brenda 2-3 muajsh ose në të kundërtën, përbërja e Kushtetueses sërish do të mbetet pa dy gjyqtarë. Më 11 janar të vitit 2027 ju mbaron mandati gjyqtarëve Osman Kadriu dhe Darko Kostadinovski, i cili aktualisht e mban funksionin e kryetarit të gjykatës.
Në këtë rast, Gjykata sërish nuk do të ishte e plotë dhe për të vendosur për lëndën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve do të duhej të pritet zgjedhja e zëvendësuesve të tij, të cilët duhet të propozohen nga presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova.
