“The Independent” për Thaçin: Burrështetasi që kërkoi lirimin nga Haga

Nga D. V.
855 e lexuar

Gazeta britanike “The Independent” ka shkruar për fjalët e fundit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në gjyqin ndaj ish-katërshes së UÇK-së në Hagë.

Artikulli i tyre fillon duke treguar se ish-presidenti e paraqiti veten të mërkurën si një burrështeti dhe paqebërës, ndërsa u kërkoi gjyqtarëve ndërkombëtarë ta lironin nga ato që ai i quajti akuza të pabaza, duke përfshirë vrasje, tortura dhe persekutim që datojnë që nga lufta e kombit të tij për pavarësi.

“Gjatë gjithë jetës sime, kam qëndruar me popullin e Kosovës duke mbrojtur lirinë, jetën dhe dinjitetin. Gjithmonë jam udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”, u tha Hashim Thaçi gjyqtarëve në fund të gjyqit të tij gati trevjeçar në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Tutje, në artikull thuhet se mbështetësit në galerinë publike të gjykatës në fillim të fjalimit të Thaçit u shtynë pas murit prej xhami që i ndante nga salla e gjyqit për ta përshëndetur ish-presidentin përpara se të qortohej nga rojet e sigurisë. Një burrë, thuhet në artikull, shihej duke fshirë lotët ndërsa Thaçi fliste.

Prokurorët kanë kërkuar një dënim maksimal prej 45 vjetësh burg për Thaçin dhe të pandehurit e tjerë, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Thaçi përballet gjithashtu me një gjyq të veçantë për akuzat e frikësimit të dëshmitarëve që do të fillojë më vonë këtë muaj.

Në deklaratën e tij përfundimtare para gjykatës, Thaçi, i cili gjithmonë ka këmbëngulur se është i pafajshëm, tha se “i vetmi vendim i drejtë do të ishte lirimi im i plotë nga akuzat”.

“Gjatë gjithë asaj kohe, e vetmja fuqi që kisha ishte fuqia e zërit tim”, tha ai. /klankosova

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër