Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot deklaroi se në vend prej vitesh ekzistojnë abuzime të mëdha me lejet mjekësore dhe se është i nevojshëm një reagim institucional më i mirë dhe kontroll i forcuar.
Sipas tij, abuzime ka nga një pjesë e të punësuarve në aparatin shtetëror, qytetarë dhe punonjës mjekësorë, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private shëndetësore.
„Të gjithë e dimë se në këto vite të kaluara – nuk janë dy, nuk janë pesë, nuk janë dhjetë, madje që nga vetë pavarësia e shtetit – kemi abuzime katastrofale nga disa faktorë“, tha Toshkovski.
Ai porositi se secili që është i aftë për punë duhet me ndershmëri, me ndërgjegje dhe me përgjegjësi t’i kryejë detyrimet e veta, e jo të përdorë leje mjekësore kur për këtë nuk ka arsye të justifikuar.
Toshkovski theksoi se çdo procedurë e ardhshme për kontrollin e lejeve mjekësore, përfshirë edhe me përdorimin e teknologjisë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet ndërkombëtare.
„Në asnjë rast nuk duhet të ketë mosrespektim ose shkelje të të drejtave të njeriut“, tha ai.
Deklarata e Toshkovskit vjen pas paralajmërimeve të Fondit për Sigurim Shëndetësor për kontrolle më të rrepta të lejeve mjekësore. Drejtori i FSSH, Zlatko Perinski, disa ditë më parë njoftoi se Fondi dhe MPB po punojnë në një sistem për shkëmbim të të dhënave me të cilin do të zbuloheshin abuzime të mundshme, ndër të tjera edhe në rastet kur personi që përdor leje mjekësore e lë shtetin.
Ndër masat e propozuara është edhe ulja e periudhës për të cilën mjeku amë mund të hapë leje mjekësore nga shtatë në pesë ditë, si dhe mundësia që kontrollorët të verifikojnë nëse personi me rekomandim për trajtim në shtëpi ndodhet në banesë. Nëse personi nuk gjendet, kjo nuk do të thotë automatikisht anulim i lejes mjekësore, por dërgim për kontroll shtesë para komisionit mjekësor.
Nga FSSH theksuan se numri i lejeve mjekësore afatshkurtra është rritur për rreth 33 për qind – nga rreth 270.000 në mbi 321.000 në vit, ndërsa numri i të sëmurëve është rritur për rreth gjashtë për qind.
