Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke folur në forumin “Kontributi i dialogut të strukturuar në procesin eurointegrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut: nga ‘themelet’ e më gjerë”, theksoi se integrimi evropian i vendit duhet të shihet si transformim thelbësor i institucioneve dhe shërbimeve publike, e jo vetëm si proces i harmonizimit të legjislacionit.
„Integrimi evropian nuk është vetëm harmonizim i legjislacionit. Ai është transformim i institucioneve, i mënyrës se si punojmë dhe i mënyrës se si qytetarët i ndiejnë rezultatet e reformave“, porositi Shasivari.
Ai nënvizoi se dialogu i strukturuar ka rëndësi të veçantë sepse mundëson që reformat të shihen si pjesë e një kornize më të gjerë evropiane, ku lidhen sundimi i ligjit, kapaciteti institucional, burimet njerëzore, digjitalizimi, qëndrueshmëria financiare dhe cilësia e shërbimeve publike.
Si koordinator i Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore, Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar në realizimin e prioriteteve reformuese të përcaktuara në Agjendën e Reformave, rekomandimet e Komisionit Evropian, misionet vlerësuese dhe punën e Nënkomitetit për drejtësi dhe punë të brendshme.
„Përmes Agjendës së Reformave, reformat lidhen me masa konkrete, afate dhe rezultate. Detyra jonë është që ato rezultate të mos mbeten vetëm në dokumentet strategjike, por të bëhen të dukshme në funksionimin e institucioneve dhe në shërbimet që marrin qytetarët“, theksoi ministri.
Shasivari vuri në dukje se Maqedonia tashmë është pjesë e mekanizmave më të gjerë evropianë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, gjë që hap hapësirë shtesë për shkëmbim përvojash, praktikash dhe standardesh evropiane.
Si një nga detyrat kyçe para Ministrisë së Drejtësisë, u theksua nevoja që reformat të kenë bazë reale dhe të qëndrueshme institucionale.
„Për herë të parë duhet të përgjigjemi sistematikisht jo vetëm në pyetjen se çfarë duhet të reformojmë, por edhe sa kushton, me çfarë burimesh njerëzore disponojmë dhe çfarë kapaciteti institucional na nevojitet që reformat të funksionojnë vërtet“, nënvizoi Shasivari.
Në këtë kontekst, u theksua edhe transformimi digjital i gjyqësorit, përmes përgatitjes së një strategjie të re TIK, me të cilën synohet drejtësi moderne dhe e integruar, procedura më efikase, transparencë më e madhe, menaxhim më i mirë i lëndëve dhe qasje më e lehtë në drejtësi.
E rëndësishme është edhe optimizimi i rrjetit gjyqësor, me qëllim qasje më të mirë në drejtësi, shpërndarje më efikase të burimeve dhe shërbim më të mirë për qytetarët.
„Detyra para nesh është të shkojmë më gjerë: nga harmonizimi drejt zbatimit, nga detyrimet reformuese drejt rezultateve të qëndrueshme dhe nga perspektiva evropiane drejt praktikës evropiane. Ky është rrugëtimi që duhet ta vazhdojmë“, porositi ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari.
