Tragjedia e Gostivarit duhet të rrisë inspektimet në komunat tjera, sa i sigurt është uji i pijshëm në qytetet tjera?

Nga I.A
1,257 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – Zakonisht tragjeditë u kujtojnë institucioneve se duhet të veprojnë, të parandalojnë dhe të mos lejojnë përsëritjen e situatave që rrezikojnë shëndetin publik. A ka sot një institucion që mund të deklarojë me siguri se uji i pijshëm në Tetovë, Kumanovë, Strugë, Shkup, Kërçovë apo në komunat rurale është i kontrolluar rregullisht, i filtruar si duhet dhe i monitoruar pa ndërprerje? Nëse Gostivari nuk e dinte se çfarë po ndodhte në rrjetin e tij, kush garanton se komunat tjera nuk po përballen me rreziqe të ngjashme? shkruan Zhurnal.

Çfarë ndodhi në Gostivar?

Gostivari u përfshi nga një epidemi masive, e cila në pak ditë preku mijëra qytetarë. Spitalet u mbushën me pacientë që paraqiteshin me simptoma të rënda gastrointestinale, ndërsa analiza të shumta konfirmuan se burimi i infeksionit ishte uji i pijshëm, ujë i kontaminuar, i papërshtatshëm për konsum, i cili për ditë të tëra qarkulloi në rrjetin e ujësjellësit pa u vërejtur nga institucionet përgjegjëse.

Hetimet e para flasin për ndërhyrje të dyshuar të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, mungesë kontrolli, mungesë reagimi të shpejtë dhe një zinxhir dështimesh institucional që lejuan që kriza të shpërthente në përmasa të papara. Ndërmarrja publike, inspektorati sanitar, autoritetet lokale të gjitha këto hallka të sistemit u treguan të ngadalta, të papërgatitura dhe të paafta të identifikonin rrezikun në kohë.

Epidemia e Gostivarit nuk është thjesht një incident lokal por një alarm kombëtar. Sepse në një vend ku infrastruktura e ujësjellësit është e vjetëruar, ku ndërhyrjet e paligjshme nuk janë të rralla, dhe ku inspektimet shpesh kryhen vetëm pas skandaleve, askush nuk mund të garantojë se një situatë e ngjashme nuk po zhvillohet diku tjetër  thjesht pa u zbuluar ende.

Kush e di sa i sigurt është uji në qytetet dhe komunat tjera?

A ka sot një institucion që mund të deklarojë me siguri se uji i pijshëm në Tetovë, Kumanovë, Strugë, Shkup, Kërçovë apo në komunat rurale është i kontrolluar rregullisht, i filtruar si duhet dhe i monitoruar pa ndërprerje? Nëse Gostivari nuk e dinte se çfarë po ndodhte në rrjetin e tij, kush garanton se komunat tjera nuk po përballen me rreziqe të ngjashme?

Ky rast duhet të shërbejë si pikë kthese. Duhet të rriten inspektimet, të shtohen analizat laboratorike, të kontrollohen filtrat, rezervuarët, burimet e ujit dhe të gjitha pikat e rrjetit. Ndërmarrjet publike nuk mund të funksionojnë me logjikën “derisa të shpërthejë problemi”. Uji i pijshëm nuk është luks, nuk është shërbim i zakonshëm është çështje jetike. Jetët e qytetarëve nuk janë lojë, e as provë për të parë se sa i fortë është sistemi.

Në shumë komuna, analizat kryhen rrallë, raportet publikohen pa transparencë, ndërsa qytetarët nuk kanë asnjë mënyrë të dinë realisht cilësinë e ujit që konsumojnë çdo ditë. Ky është një rrezik i heshtur, i padukshëm, por potencialisht fatal. Gostivari e tregoi qartë se sa shpejt mund të kthehet një pakujdesi në katastrofë.

Tragjedia e Gostivarit nuk duhet të harrohet, as të relativizohet. Ajo duhet të shërbejë si mësim dhe si paralajmërim. Institucionet duhet të veprojnë tani jo nesër, jo pas incidentit të radhës. Duhet të rriten inspektimet, të forcohen kontrollet, të modernizohet infrastruktura dhe të vendoset një sistem i rreptë monitorimi të ujit të pijshëm në të gjitha komunat e vendit. Sepse siguria e ujit nuk është çështje teknike është çështje shëndeti publik, çështje përgjegjësie institucionale dhe mbi të gjitha, çështje jete. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër