Tre muaj e gjysmë hetime për ndotjen e ujit në Gostivar, ende pa aktakuzë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 7 nëntor Zhurnal.mk – Ndonëse kanë kaluar tre muaj e gjysmë që nga fillimi i hetimeve kundër Artana Asanit, Leon Nuredinit dhe Vadedin Dervishit si të dyshuar për ndotje të ujit të pijshëm në Gostivar, Prokuroria ende nuk ka ngritur asnjë akuzë. Ata dyshohen për veprën penale “vepra të rënda kundër njerëzimit”, përkatësisht se kanë vendosur pompa në ujësjellës me qëllim rritjen e presionit të ujit, por pompat kanë injektuar ujë të ndotur me fekale. E dyshuara e parë Artana Asani fillimisht u dërgua në paraburgim, e më pas u lëshua në arrest shtëpie. Dy të dyshuarit e tjerë ndodhen në paraburgim. Nga Prokuroria nuk japin detaje se deri ku kanë arritur hetimet dhe kur pritet të ketë akuzë.

“Hetimi vazhdon dhe po ndërmerren veprime. Sapo të merret një vendim do të njoftojmë opinionin.” – Njoftuan nga Prokuroria Publike.

Për rastin me ndotjen e ujit në Gostivar, në bisedë informative ishin thirrur shumë persona dhe po hetohen të gjitha pistat. Por edhe më tej ka mbetur e paqartë fakti se pse Qendra e Shëndetit Publik dy herë ka informuar autoritetet në Gostivar se uji është në rregull ndërsa Prokuroria ka konstatuar se uji është ndotur në periudhën mes 25 qershorit dhe 16 korrikut. Gjatë kësaj vere, në Gostivar rreth 3850 persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të helmimit dhe infeksioneve të zorrëve ndërsa më 19 korrik u shpall epidemi. Shumë persona ankoheshin për të vjella, diarre, dhimbje të barkut, temperaturë dhe dehidrim. Gostivari më pas u shndërrua në qendër për mbështetje humanitare ku u shpërndanë mbi 50 mijë litra ujë të pijshëm përmes cisternave.

Në Gostivar ishte parashikuar projekt për ndërtimin e dy rezervuarëve të ujit dhe rikuperimit të gypave të ujit me qëllim normalizimit të shtypjes së furnizimit me ujë. Në vitin 2020 kryetari i atëhershëm i komunës, Arben Taravari pati njoftuar se me këtë projekt do të zgjidhet problemi me ujin për 100 vitet e ardhshme. Megjithatë, projekti edhe sot e asaj dite nuk shihet askund.

artikuj të ndërlidhura