Tregu i kooperativave financiare u rrit me 13% vitin e kaluar

Nga Xh M
584 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tregu i shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) e mbylli vitin 2025 me rritje dyshifrore.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të vitit arriti vlerën e 19.4 miliardë lekëve ose afërsisht 200 milionë eurove. Vlera e aktiveve të tregut është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, madhësia e këtij sektori ngelet modeste në raport me segmentet e tjera të tregut financiar dhe kryesisht me sektorin bankar.

Asetet e SHKK-ve përbëjnë afërsisht 0.85% të totalit të aktiveve të sistemit bankar në vend. Aktivet e këtij sektori dominohen kryesisht nga huatë e dhëna për anëtarët. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të në fund të vitit 2025 arriti në 14.3 miliardë lekë, me rritje me 9.2% krahasuar me një vit më parë.

Pjesa tjetër e aktiveve konsiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë shumë të vogël zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jo financiare.

Shoqëritë e kursim-kreditit ose siç njihen ndryshe kooperativat financiare janë një segment i mikrofinancës, veçanërisht i fokusuar në zonat rurale të vendit, me qëllim kryesor financimin e ekonomive bujqësore.

Ato pranojnë depozita nga anëtarët dhe ofrojnë kredi për ta, duke pasur si qëllim kryesisht mbushjen e boshllëkut që krijon mungesa e pranisë së sektorit bankar në zonat rurale dhe periferike të vendit. Ky model ka rezultuar deri diku i suksesshëm për ofrimin e shërbimeve financiare në zonat që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të vitit të kaluar, depozitat përbënin afërsisht 63% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 12.3 miliardë lekëve, në rritje 6.8% me bazë vjetore.

Edhe në sektorin e SHKK-ve në dy vitet e fundit po vërehet një rritje e peshës së depozitave në valutë të huaj. Depozitat në valutë gjatë 2025 u rritën me10%, pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit, duke qenë se bilanci raportohet në Lekë.

Ndërsa depozitat në monedhën vendase shënuan një rritje të ulët, me 6% krahasuar me fundin e vitit 2024. Pesha e depozitave në valutë ndaj totalit ka arritur në 23.1%, nga 22.5% që kishte qenë një vit më parë.

Në përgjithësi, SHKK-të ofrojnë norma interesi për depozitat më të larta se bankat tregtare, ndërsa paralelisht edhe kreditë në përgjithësi kanë norma më të larta interesi.

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve.

Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Aktualisht, ASD raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave. / E.Shehu

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër