Uashington, 8 maj, Zhurnal.mk – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se armëpushimi me Iranin vazhdon të jetë në fuqi, pavarësisht një përplasjeje të armatosur mes forcave iraniane dhe shkatërruesve detarë amerikanë në Ngushticën e Hormuzit, për të cilën të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën, sipas BBC.
Sipas SHBA-së, Irani ka lëshuar raketa, dronë dhe mjete të vogla lundruese kundër tre anijeve luftarake amerikane, në atë që Uashingtoni e ka cilësuar – si një sulm të paprovokuar. “Irani luajti me zjarrin sot”, tha Trump.
Ndërkohë, komanda e lartë ushtarake iraniane ka pretenduar se SHBA-ja ka goditur një tanker nafte iranian dhe një tjetër anije pranë ngushticës, si dhe ka kryer “sulme ajrore” në disa zona bregdetare.
Përshkallëzimi i situatës ndodh një ditë pasi Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se po shqyrtonte një propozim amerikan për t’i dhënë fund konfliktit.
Si shenjë e brishtësisë së armëpushimit, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi sot në mëngjes – se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore po angazhoheshin aktivisht ndaj një sulmi me raketa dhe dronë nga Irani.
Mediat shtetërore iraniane raportuan fillimisht “shpërthime” në Ngushticën e Hormuzit, duke e përshkruar situatën si një “shkëmbim zjarri me armikun”, ndërsa raportime lokale njoftuan edhe shpërthime në Teheran.
Më vonë, komanda e lartë ushtarake iraniane deklaroi se “sulmet ajrore” amerikane kishin goditur brigjet e Bandar Khamir, Sirik dhe ishullin Qeshm.
Sipas saj, Irani u kundërpërgjigj menjëherë duke sulmuar anije ushtarake amerikane dhe duke u shkaktuar atyre “dëme të konsiderueshme”.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) i cilësoi sulmet iraniane si “të paprovokuara”, duke deklaruar se forcat iraniane përdorën raketa, dronë dhe mjete të vogla lundruese gjatë kalimit të anijeve amerikane në ngushticë.
Sipas saj, forcat amerikane kanë eliminuar kërcënimet në hyrje dhe kanë goditur objektiva ushtarake iraniane, përfshirë lëshues raketash, qendra komandimi dhe pika të inteligjencës.
“CENTCOM nuk kërkon përshkallëzim, por mbetet i gatshëm për të mbrojtur forcat amerikane”, thuhet në deklaratë.
Në platformën “Truth Social”, Trump tha se SHBA-ja ka shkatërruar disa mjete të vogla lundruese, raketa dhe dronë iranianë, duke shtuar se “dëmet më të mëdha” i janë shkaktuar palës iraniane.
Një burim izraelit i tha BBC-së se “nuk ka përfshirje izraelite” në zhvillimet e fundit.
Tensionet rriten pavarësisht deklaratave të Trump se lufta me Iranin mund të përfundojë shpejt.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit ,Marco Rubio deklaroi më herët se operacioni ushtarak është përfunduar dhe ka arritur objektivat e tij.
Në sfond, diskutimet diplomatike për një marrëveshje të mundshme vazhdojnë, por si Teherani ashtu edhe Uashingtoni kanë paralajmëruar për përshkallëzim nëse nuk arrihet dakordësi mbi kushtet e tyre.
