Uashington, 04 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump ka pranuar se gjatë një telefonate me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu e ka quajtur atë “të çmendur” në një bisedë të tensionuar, ku janë përdorur edhe fjalë të rënda, raportoi AP.
Gjithashtu, presidenti Trump tha se ishte “pak i shqetësuar” që luftimet e Izraelit me militantët e Hezbollahut, në Liban po pengonin bisedimet e paqes me Iranin.
Megjithatë, Trump theksoi se pavarësisht tensioneve, marrëdhënia e tij me Netanyahun mbetet e fortë.
Ai tha se të dy e kuptojnë njëri-tjetrin si liderë “në kohë lufte” dhe se bashkëpunojnë mirë për çështje të sigurisë dhe rajonit.
“Ne kemi punuar shumë mirë së bashku. Më pëlqen Bibi dhe bashkëpunoj shumë mirë me të”, u shpreh Trump në një intervistë për CNBC.
Nga ana e tij, Netanyahu reagoi duke thënë se ai dhe Trump kanë ndonjëherë “mosmarrëveshje taktike”, por ndajnë të njëjtat objektiva kryesore.
Sipas tij, të dy liderët respektojnë njëri-tjetrin dhe gjithmonë gjejnë mënyra për të zgjidhur dallimet dhe për të vazhduar bashkëpunimin.
Në të njëjtën kohë, situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përpiqen të ndërmjetësojnë bisedime, për një armëpushim më të gjerë mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, ndërsa konflikti është ndërlidhur edhe me përplasje më të gjera me Iranin.
Sipas raportimeve, këto luftëra dhe tensione rajonale po e komplikojnë procesin e paqes dhe po ndikojnë edhe në ekonominë globale, për shkak të rritjes së pasigurisë dhe çmimeve të energjisë.
Në Liban, pavarësisht një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, luftimet kanë vazhduar.
Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një kuadër të ri sigurie, që përfshin krijimin e zonave pilot, ku Hezbollahu do të ndalohet, si dhe rritjen e rolit të ushtrisë libaneze në kontrollin e këtyre zonave.
Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes mbetet i paqartë dhe i brishtë.
Sulmet ajrore dhe përplasjet kanë vazhduar në disa zona të Libanit jugor dhe pranë qyteteve kryesore, duke shkaktuar viktima dhe zhvendosje të mëdha të popullsisë.
Konflikti ka shkaktuar mijëra të vdekur dhe mbi një milion të zhvendosur, ndërsa situata humanitare përkeqësohet.
Ndërkohë, tensionet politike po rriten edhe në SHBA, ku Kongresi ka miratuar, për herë të parë, një rezolutë që synon të kufizojë veprimet ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit, duke sfiduar kompetencat e presidentit.
Trump ka sinjalizuar se mund të mos e pranojë një kufizim të tillë, në rolin e tij si komandant i përgjithshëm.
Në përgjithësi, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, situata mbetet e paqëndrueshme, me negociata të vazhdueshme dhe luftime që vazhdojnë të kenë një ndikim të madh në rajon.
