Uashington, 10 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje votuesve të mbështesin Partinë Republikane në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit, duke premtuar një pagesë prej 5 mijë dollarësh për çdo të rritur amerikan, nëse republikanët arrijnë të ruajnë kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.
Duke folur në konventën republikane në Dallas, Trump tha se amerikanët do të votojnë brenda 55 ditësh për atë që ai e cilësoi si “zgjedhjet më të rëndësishme në historinë tonë”.
“Ju kërkoj të na lejoni të përfundojmë punën që kemi nisur. Imagjinoni sikur në zgjedhjet e mesmandatit të ishte emri im në fletën e votimit”, deklaroi Trump, duke u bërë thirrje republikanëve të mobilizohen përballë sondazheve që, sipas tij, janë të pafavorshme.
Presidenti amerikan paralajmëroi se një fitore e demokratëve do të sillte pasoja negative për vendin. Sipas tij, amerikanët do të humbnin kontrollin e kufijve, shkurtimet e taksave, sigurinë dhe pasurinë.
“Votoni për republikanët dhe ne do ta lëmë pjesën tjetër të botës të hajë pluhurin tonë për brezat e ardhshëm”, tha Trump, duke marrë duartrokitje nga delegatët.
Por premtimi më i bujshëm i fjalimit ishte ai për një “dividend Trump” prej 5 mijë dollarësh.
“Unë mund t’ju premtoj një gjë: nëse republikanët fitojnë Dhomën dhe Senatin, do të shpërndaj një dividend prej 5 mijë dollarësh për çdo të rritur, pak a shumë siç kompanitë e suksesshme u japin dividendë aksionerëve të tyre”, tha presidenti.
Trump shtoi se kushti i vetëm për këtë “dividend” do të ishte që paratë të shpenzoheshin brenda Shteteve të Bashkuara.
Fjalimi i Trump zgjati rreth dy orë dhe u përqendrua te mobilizimi i bazës republikane për zgjedhjet e mesmandatit, në të cilat presidenti synon të ruajë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
